Foto: KALLXO.com
I përkeqësohet gjendja njërit të dyshuar gjatë seancës për rastin e 'zhvatjes' së mbi 1 milion eurove nga BSK
Njërit nga të dyshuarit në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BSK) i është përkeqësuar gjendja shëndetësore teksa ai dhe 38 tjerë kanë dalë para Gjykatës së Prizrenit, ku po mbahet seanca dëgjimore ndaj tyre.
Deri në këtë moment kanë përfunduar fjalën avokatët e katër të dyshuarve për të cilët Prokuroria kishte kërkuar paraburgim.
Me kërkesën për trajtim nga Emergjenca, seanca ka vazhduar me një pauzë, pastaj do të rikthehen sërish në seancë ku do të japin fjalën e tyre në seancën paraprake avokatët e atyre që janë arrestuar për keqpërdorim të besimit – kryesisht të qytetarëve.
Me vetura të shumta të Policisë, nën mbështetjen edhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, 39 të arrestuarit në aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) u sollën në Gjykatën e Prizrenit për të mbajtur seancën pasi ndaj të arrestuarve u kërkua masa e sigurisë.
Për katër të dyshuar u kërkua masa e paraburgimit e për të tjerët masa e paraqitjes në stacion policor si dhe mosafrimi te objekti i BKS-së.
Seanca ka nisur rreth orës 18:30.
Gjykata e Prizrenit njoftoi më 09.01.2026 se në ora 16:00 pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sami Mazrekut, ish-drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Valon Berishës, ish-drejtorit të Financave në BSK, si dhe ndaj 37 personave të tjerë të arrestuar më 08.01.2026, të dyshuar për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është bërë ndaj 4 të pandehurve me inicialet S. M., V. B., F. S., dhe Y. Ç., dhe për 35 të pandehurit e tjerë është bërë kërkesa për caktimin e masës – paraqitja në stacion policor, dhe – ndalim për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.
Informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disamujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit gjatë ditës së djeshme, më 08.01.2026.
45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar e shtatë të tjerë janë në kërkim – ky është bilanci i aksionit i cili u realizua më 08.01.2026 në disa regjione të Kosovës.
Dosja e BSK tashmë do të vazhdojë edhe tutje të trajtohet, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka ngrirë xhirollogaritë e të dyshuarve të cilët pretendohet se përfituan kundërligjshëm kompensime nga BKS, këtë siç thot Prokuroria e mundësuan Mazreku e Berisha.
Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milion e 40 mijë euro.
Se si u bë transferi i parave nga të dyshuarit dhe të tjera detaje mund të lexoni në lajmin në vazhdim.
“Zhvatja” e mbi 1 milion eurove nga BSK – 39 të arrestuarit dalin para Gjykatës