Caktohet seanca për masë të sigurisë 109 të arrestuarit për manipulim me vota në Prizren
E ndarë në katër pjesë, sot pritet që të mbahet edhe seanca ndaj 109 të arrestuarve për dosjen e manipulimit të votave në Prizren.
KALLXO.com mëson se seanca do nis nga ora 14:00 ndërsa do të jetë e ndarë në katër pjesë për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve të cilët pritet të paraqiten në Gjykatën e Prizrenit bashkë me avokatët e tyre.
Prokuroria Themelore e Prizrenit në bazë të procedurave do të kërkoj edhe masën e sigurisë ndaj të arrestuarve të cilët po dyshohet se manipuluan e keqpërdorën votimet në Prizren.
Kryeministri ne detyrë Albin Kurti ka reaguar një ditë pas aksionit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit në të cilin u arrestuan 109 komisionerë të partive të ndryshme politike në lidhje me manipulim të votave.
Kurti tha se ata që patën gisht në manipulime me vota nuk kanë amnisti.
‘’Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund’’- ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje ai tha se partia që drejton ai, LVV ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.
‘’Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit’’- shkruan tutje Kurti.
Kryeministri në detyrë shton se vota e vullneti i qytetarëve duke të garantohet deri në fund.
‘’Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen’’- ka shkruar kryeministri në detyrë Kurti.
109 vendime për ndalim 48 orësh janë lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në lidhje me manipulimet me vota në rajonin e Prizrenit.
Katër prokurorë, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjatë ditës së sotme, më 23.01.2026, kanë marrë pjesë në një aksion të gjerë që u zhvillua në Prizren.
Atje, ekipet policore e hetuesit intervistuan mbi 100 komisionerë të partive të ndryshme politike në lidhje me manipulimin e votave.
Vetë Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi se kanë lëshuar 109 vendime për ndalim për të vazhduar më tutje me procedurat e tjera.
Luan Ibrahimi, zv.drejtor i Departamentit për Krime Ekonomike në nivel të Kosovës, tha gjatë konferencës se rasti i arrestimeve në Prizren mund të konsiderohet si një nga rastet me të mëdha sa i përket të arrestuarve.
“Ky ka qenë një nga operacionet më të mëdha që ka organizu Policia e Kosovës. Ne jemi përgatitur jemi mobilizuar dhe kemi arritur qëllimin që të arrestojmë personat që kanë keqpërdr me vota, të cilët kanë ndikuar, kanë kërcënuar, kanë marrë apo kanë dhënë ryshfet lidhur me votimin e fundit që ka ndodhë në Kosovë”- tha Ibrahimi.
“Ne kemi arritur që të arrestojmë, intervistojmë e të ndalojmë një numër jashtëzakonisht të madh që mund të konsiderohet një nga operacionet më të mëdha që Policia e Kosovës e ka realizuar ndonjëherë, pra janë 109 persona të arrestuar”- shtoi Ibrahimi.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, në një konferencë bashkë me drejtorin e Policisë në Prizren, Faton Alija, tha se hetimi për manipulimin e votave në Prizren ka qenë i koordinuar me Prokurorinë e Shtetit.
“Ditë më parë kemi paralajmëruar se manipulimi i votës dhe rezultateve zgjedhore është krim dhe do të ndëshkohet pa kompromis. Sot secili prej atyre që ka guxuar të fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Dua ta bëj të qartë, këtu nuk bëhet fjalë për numërinim e votave të subjekteve politike, por bëhet fjalë për manipulim brenda llojit, aty ku katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar që larg syrit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë mund të manipulojnë e mund t’ia dilnin pa të keqe”- tha Kryeziu më 23.01.2026.
Ai shtoi se nga të dhënat që kanë marrë është e vetmja një klasë që nuk ka pasur keqpërdorim të votave.
“Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave edhe pse KQZ nuk ka ndonjë mashë tolerance, këtu nuk bëhet fjalë për dhjetëra as për qindra por bëhet fjalë për shumë mijëra vota të mainupuluara e të falsifikuara. Ka kandidat që kanë deri mbi 6,000 vota janë të falsifikuara për një kandidat. Pra bëhet fjalë edhe për një vendvotim për me pasë të qartë, vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2,444 vota, pra vetëm në një klasë sa kanë votu qytetarët, përderisa mund ta them që në regjionin tonë, ato që janë numëruar nga subjektet politike, vetëm një klasë ka dalë e pakeqpërdorur”- tha tutje Kryeziu.
ryeziu, në konferencë për media ka thënë se kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori, si të dyshuar apo edhe të dëmtuar.
“Edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen në prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim që ne i kemi dëgjuar deklaratat e tyre mediale, shumë prej tyre ndihen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Prokuroria do t’ia ofrojë këtë mundësi, që të paktën t’i marrim në cilësinë e të dëmtuarve, t’ia japim mundësinë që t’i bashkëngjiten ndjekjes penale, të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar”- tha Kryeziu në konferencë për media më 23.01.2026.
Njëri nga 109 komisionerët e dyshuar, i cili është arrestuar për manipulim me vota në Prizren, ka pranuar që të bashkëpunojë me Prokurorinë e të tregojë se në rastin që u hetua nga prokuroria pati edhe marrje e dhënie të ryshfetit.
Këtë e konfirmoi në konferencë për media Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kur foli bashkë me përfaqësues të policisë për detajet e aksionit që përfundoi me 109 të ndaluar për 48 orë, lidhur me rastin e keqpëdorimit e manipulimit të votave të procesin zgjedhor të mbajtur më 28.12.2025.
“Me vetiniciativë kemi ndërmarrë veprime sepse shihej haptazi që keqpërdorimet ishin duke ndodhur ndërsa pjesa që ka të bëj me dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot kur njëri nga komisionerët ka vendosur që të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ata që janë edhe të akuzuar mund të marrin cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunues”- tha kryeprokurori Kryeziu.
Njëri nga 109 komisionerët e dyshuar është djali i Rasim Demirit, kandidatit për deputet nga Partia Demokratike Boshnjake.
KALLXO.com mëson nga burime të saj se djali i Demirit është njëri nga 109 komisionerët e dyshuar për manipulim dhe keqpërdorim të votave në Prizren, të cilët janë ndaluar për 48 orë.
Granit Paçarizi është nipi i Fetah Paçarizit. I pari është i njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë, e i dyti po dyshohet se iu shtuan mijëra vota gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 28.12.2025.
Granit Paçarizi është në mesin e 109 të arrestuarve në aksionin e Policisë dhe Prokurorisë së Prizrenit që u realizua gjatë ditës së sotme, më 23.01.2026.
Por, kush është Granit Paçarizi dhe si njihet ai për sistemin?
Para arrestimit të sotëm (23.01.2026), vite më parë, më 2022, Policia e Kosovës kishte arrestuar të dyshuarin Granit Paçarizin për kanosjen e drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, dhe zyrtarëve të kësaj Drejtorie.
Policia në atë kohë kishte thënë se më 28 mars 2022, në orën 15:30, në objektin e Kuvendit Komunal në Prizren, në zyrë të Drejtorisë për Shërbime Publike, i dyshuari Granit Paçarizi kishte ushtruar presion dhe i kanosi personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në komunën e Prizrenit. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë e Prizrenit më 04.04.2022 kishin intervistuar viktimat në lidhje me rastin, ndërsa më 05.04.2022 në prezencë të avokatit mbrojtës ishte intervistuar edhe i dyshuari i lartcekur.
“Të dëmtuarit S.T., – menaxher i projektit i kanoset me fjalët ‘………. kam me të vra para Komune, nuk ke me gëzu pensionin’, ndërsa personit tjetër zyrtar Ç.L., Drejtor i Shërbimeve publike, i pandehuri e kanos me fjalët: ‘Nuk guxon kush me ndërpre kontratën’”- thuhej në njoftimin e Gjykatës me ç’rast Paçarizit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.04.2022.
Granit Paçarizi ishte edhe i falur nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2020.
KALLXO.com kishte raportuar se Paçarizi, i cili ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor, mirëpo prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë Granit Paçarizin, mirëpo, kësaj radhe për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.
Tutje KALLXO.com kishte raportuar se Granit Paçarizi në ndërkohë kishte ndihmuar në zbulimin e një rasti të korrupsionit.
Ai kishte filmuar një takim me shoferin e prokurorit ndërsa dyshimet për korrupsion në Prokurorinë e Prizrenit, të ngritura nga Paçarizi dhe familjarët e tij, bënë që prokurori i krimeve të rënda, Bajram Hamitaga, të suspendohej nga detyra nën dyshimet se kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet.
Në vitin 2020, KALLXO.com kishte raportuar se si Granit Paçarizi, i cili është në mesin e tre personave, të cilit presidenti i vendit Hashim Thaçi i kishte falur 1 vit nga dënimi me burg, u pa i afërt edhe me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në rrjetin social Facebook, Paçarizi kishte publikuar fotografi në të cilat shfaqej bashkë me ish- kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, e kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj.
Prokuroria e Gjakovës ka njoftuar më 23.01.2026 se në kuadër të kompetencave të saj ligjore është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Prokuroria njofton se ka autorizuar Policinë që në komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, të cilat lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Në komunikatë thuhet se Prokuroria e Gjakovës mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe të trajtojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.
Njoftimi i Prokurorisë së Gjakovës vjen pas një aksioni të Prokurorisë dhe Policisë së Prizrenit lidhur me dyshimet për manipulim me votat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.