Gjykata e Prizrenit e ndryshon masën e sigurisë për 3 dyshuarit në rastin e BKS-së

Gjykata e Prizrenit e ka ndryshuar masën e sigurisë për 3 të dyshuarit në rastin e keqpërdorimeve të pretenduara në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Për të dyshuarit Sami Mazreku, Valon Berisha dhe Ylli Çollaku, Gjykata ka ndryshuar masën nga paraburgim në arrest shtëpiak. Kurse të pandehurit Florent Sylejmani vetëm ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak.

Të pandehurit në këtë rast po dyshohen se kanë keqpërdorur autorizimet që kanë marrë nga BKS dhe kanë kryer transaksione të ndryshme ose për vete ose për persona të tjerë.

Tutje, të pandehurve Kushtrim Demolli, Egzona Gashi, Suad Haliti, Mërgim Zabeli, Ariana Mehmeti – Meleqi dhe Azem Rusinovcit Gjykata ua ka vazhduar masën e paraqitjes në stacionin policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Seanca dëgjimore rreth këtij rasti ishte mbajtur më 09.01.2026 ndaj 39 të arrestuarve nën dyshimin për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK).

Seanca kishte nisur rreth orës 18:30 kurse kishte përfunduar pas orës 22:00.

Me vetura të shumta të Policisë, nën mbështetjen edhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, 39 të arrestuarit në aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ishin sjellë në Gjykatën e Prizrenit për të mbajtur seancën pasi ndaj të arrestuarve ishte kërkuar masa e sigurisë.

KALLXO.com kishte transmetuar pamje ekskluzive të aksionit ku ishin arrestuar mbi 40 persona nën dyshimet se kanë zhvatur mbi 1 milion euro prej Byros Kosovare të Sigurimeve.

https://kallxo.com/lajm/aksioni-ne-rastin-e-keqperdorimit-milionesh-ne-bks-kyreprokurori-kryeziu-konfirmon-arrestimin-e-39-te-dyshuarve/

Si bëhej transferi i parave?

Mazreku e Berisha po dyshohen se nga korriku i vitit 2022 deri në tetor të vitit 2023, së bashku duke shfrytëzuar pozitat që kishin me dashje dhe duke i keqpërdorur ato pozita, kishin bartur një shumë prej 7 mijë e 961 eurove një qytetari, kinse ky i fundit si i autorizuar kishte përfaqësuar një palë tjetër për kompensim të dëmit material për shkak të një aksidenti të trafikut që kishte ndodhur më 24.12.2017. E i njëjti person paraprakisht ishte kompensuar nga BKS për të njëjtin aksident.

Një tjetër transaksion, në mesin e 166 transaksioneve, që dyshohet se kishin kryer Mazreku e Berisha ishte edhe ai me shumën 8 mijë e 540 euro për personin A. B., kinse ky i fundit si i autorizuar kishte përfaqësuar një palë tjetër- E. H., për kompensim të dëmit për një aksident trafiku që kishte ndodhur më 06.09.2019. E. H, paraprakisht ishte kompensuar për aksidentin që kishte ndodhur.

Më 10 gusht 2022, Mazreku e Berisha po dyshohen se në kundërshtim të rregullave dhe procedurave të brendshme, pa dokumentacion kishin kryer dy transfere bankare të pajustifikuara kinse për kompensim të dëmit, njëra shumë 4 mijë e 641 euro e tjetra 6 mijë e 891 euro.

Më 11 gusht 2022, dy pozitat kryesore të BKS, Mazreku e Berisha dyshohen se kishin realizuar të njëjtën procedurë si më lartë te i njëjti person vetëm se me vlerë tjetër, dhe atë prej 5 mijë e 481 eurove, qytetares V. H.

Më 30 gusht 2022, Mazreku e Berisha sërish dyshohet se kishin kryer transaksione bankare të pajustifikuara në shumë prej 7 mijë e 430 eurove dhe 6 mijë e 680 eurove nga llogaria e BKS në atë të qytetarit B. H., kinse ky i fundit ishte autorizuar nga një familje për kompensim për aksidentin e trafikut të datës 24.12.2017.

Po ashtu një tjetër rast i datës 30 gusht 2022 është edhe ai i kompensimit në mënyrë të jashtëligjshme të dëmit për një aksident i cili kishte ndodhur në vitin 2011, por kësaj radhe kompensimi ishte bërë te një kompani.

Shuma që ishte transferuar ishte 3 mijë e 950 euro.

Një shumë prej 4 mijë e 606 eurove ishte kompensuar më 30 gusht 2022 ndaj një qytetareje për një aksident trafiku që kishte ndodhur në gusht të 2010-tës.

Transaksione të tjera bankare në vlera prej 6 mijë e 181 eurove për një aksident të 2009-s, 3 mijë e 346 euro për një aksident të 2006-tës, ishin bartur te qytetarët më 30 gusht 2022. Pra të gjitha këto transaksione që ishin bartur siç pretendon Prokuroria në Prizren nga llogaria e BKS, paraprakisht të njëjtit qytetarë ishin kompensuar më parë.

Mazreku e Berisha po dyshohet se pasi kishin transferuar paratë te qytetarët, i kishin takuar të njëjtit e nga ta dhe kishin përfituar shuma të majshme parash kash.

Më datë 8 shtator 2022, Prokuroria në Prizren pretendon se janë kryer tri transfere të jashtëligjshme nga Mazreku e Berisha. Një shumë e kompensuar ndaj një qytetari ishte 4 mijë e 289 eurove, një tjetër 7 mijë e 468 eurove dhe e treta 5 mijë e 497 eurove. Aksidentet kishin ndodhur në vitet 2014-2016 por që qytetarët ishin kompensuar dy herë për të njëjtat aksidente.

Përgjatë shtatorit të 2022-tës, 56 mijë e 287 euro u ishin kompensuar dhe transferuar qytetarëve të ndryshëm të cilët tashmë janë edhe të dyshuar të prokurorisë për pranimin e kompensimeve të dyfishta në formë të jashtëligjshme nga Mazreku e Berisha. Aksidentet kishin ndodhur përgjatë viteve 2009-2016 dhe të gjithë palët paraprakisht kishin marrë kompensimet nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Përgjatë muajve tetor-nëntor dhe dhjetor, Mazreku e Berisha jashtëligjshëm dyshohen se kishin transferuar 151 mijë e 530 euro te qytetarë të ndryshëm si kompensime për dëmet e shkaktuara në aksidente të trafikut. Edhe në këto raste të njëjtit paraprakisht kishin qenë të kompensuar nga Byroja e Sigurimeve, por transaksionet ishin bërë jashtëligjshëm nga ish drejtori ekzekutiv dhe ai i financave të BKS.

Edhe përgjatë vitit 2023, dosja e prokurorisë flet për qindra mijëra euro të transferuara në xhirollogari të qytetarëve në emër të kompensimit për dëmet materiale në aksidente trafiku, kompensime këto që pretendohet se janë bërë kundërligjshëm pasi të njëjtit qytetarë ishin kompensuar më parë me të njëjtat shuma të parave.

Një çështje që është përmendur në dosje është edhe ajo për shumën totale që dyshohet se kishin transferuar në mënyrë të pajustifikuar dhe pa dokumentacione Mazreku e Berisha. Përgjatë periudhës korrik 2022 deri në tetor 2023, 1 milionë e 43 mijë e 284 euro pretendohet se është dëmi që kanë shkaktuar ish-drejtorët e Byrosë së Sigurimeve.

Përveç transaksioneve veprimtaria e Mazrekut e Berishës sipas prokurorisë nuk ndalon. Në dosje të prokurorisë pretendohet se Berisha mori pjesë edhe në falsifikime të dokumenteve në mënyrë që të kryhej kompensimi i dëmit për aksidentet e trafikut.

Ujdi fiktive jashtëgjyqësore, dokumente të falsifikuara janë marrëveshjet që pretendohet se janë bërë nga Mazreku e Berisha me qytetarë të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit të përfitojnë pagesa e më pas të ndahen shumat e parave në kash për dy ish drejtorët.

Dy ish drejtorët e Byrosë, njëri ekzekutiv- Sami Mazreku, e tjetri i financave- Valon Berisha, po dyshohen për keqpërdorim të besimit në vazhdimësi, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në pjesën e ujdive e marrëveshjeve, dosja tregon se kishte marrë pjesë Valon Berisha ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimeve, ndërsa miratimin për transfere e kishte dhënë edhe Mazreku si Drejtor Ekzekutiv.

Tetë prokurorë në koordinim dhe udhëheqje të kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, morën pjesë në aksionin dhe bastisjet masive që u realizuan më 8 janar 2026.