I akuzuari Enes Ay - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i shtetasit të Turqisë për plagosjen e të riut në Prizren, i cili vdiq në QKUK, në seancë shfaqen pamje kur viktima bie në tokë

Në gjykimin e shtetasit të Turqisë, Enes Ay, i cili akuzohet për rastin e therjes me mjet të mprehtë të A.Th., i cili si pasojë e plagëve kishte vdekur, versionin për ngjarjen tragjike që ka ndodhur në korrik të vitit 2024 e ka dhënë dëshmitari Lutfi Çocaj.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, A.Th. kishte vdekur pasi ishte goditur nga i akuzuari Enes Ay pas një konflikti verbal që kishin pasur. Kurse, Hajrullah Brnçani nuk i kishte dhënë ndihmë viktimës dhe nuk e kishte lajmëruar veprën penale.

Dëshmitari Lutfi Çocaj është dëgjuar në cilësinë e pronarit të një biznesi para të cilit viktima kishte zbritur nga vetura dhe ishte shtrirë në tokë.

Dëshmitari ka rrëfyer se në natën kritike nuk ka qenë prezent në lokal dhe se për rastin kishte dëgjuar një ditë pas ndodhisë.

Ai tha se Policia kishin ardhur te lokali i tij dhe kishte bërë matje.

Tutje dëshmitari në seancë ka deklaruar se lokali i tij është i pajisur me kamera të sigurisë dhe ka deklaruar se nuk është në dijeni nëse Policia i ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë.

Përfaqësuesi i palës se dëmtuar, avokati Esat Gutaj, kërkoi nga Gjykata që të prezantohen disa pamje të kamerave të sigurisë, në të cilat sipas tij shihen disa persona në lokal dhe pranë lokalit. Nga dëshmitari ai kërkoi që t’i identifikojë.

Dëshmitari u përgjigj se dy persona që shiheshin brenda lokalit janë djemtë e tij, ndërsa për personin e tretë tha qe është punëtor i tij, emrin e te cilit e bëri të ditur ndërsa mbiemrin tha se nuk e di.

Pasi arriti t’i identifikojë dëshmitarët, prokurori Mehdi Sefa parashtroi një propozim që të njëjtit të dëgjohen, propozim që e aprovoi gjyqtarja Sadije Selmani.

Rasti është duke u gjykuar në Gjykatën e Prizrenit.

Trupi gjykues i cili po e trajton këtë çështje penale është i përbërë nga Sadije Selmani (kryetare), Teuta Krusha dhe Arjeta Gashi (anëtare).

Prokuroria e Prizrenit akuzon Enes Ay për lëndim të rëndë trupor dhe Hajrullah Brnçanin për mosdhënie të ndihmës dhe moslajmërim të veprës penale.

Sipas Prokurorisë, më 6 korrik 2024 në ora 23:50, Enes Ay takohet me viktimën A.Th. në Prizren.

Viktima sipas aktakuzës ishte goditur me mjet të mprehtë në këmbë, pas një konflikti verbal që e kishin zhvilluar në makinën e Hajrullah Brnçaninit që kishte shkuar t’i marrë të dy palët para ndodhisë.

Për shkak të plagëve, viktima fillimisht kishte pranuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Prizrenit, kurse më pas ishte dërguar në QKUK.

Sipas aktakuzës, pasi ia ka shkaktuar plagën në këmbë viktimës i akuzuari ka ikur nga vend i ngjarjes.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Hajrullah Brnçanin, i cili kishte qenë prezent në vendin e ngjarjes, sipas aktakuzës, pas ndodhisë nuk i ka dhënë ndihmë A.Th., i cili ishte goditur në këmbë, nuk e kishte dërguar tek ndonjë institucion i kujdesit shëndetësor por e kishte lënë tashmë viktimën të dalë nga vetura.

Për këtë veprim, Prokuroria e ka akuzuar Hajrullah Brnçanin për moslajmërim të veprave penale pasi kishte pasur njohuri për ndodhinë si dhe identitetin e tashmë të akuzuarit Enes Ay.