Foto: Kallxo.com

I akuzuari, të akuzuarit tjetër: Nuk e di si je pranuar në punë

Një i akuzuar tha sot në gjykatën e Gjilanit se nuk e di se si i akuzuari tjetër është pranuar në punë në ndërmarrjen ‘Eco Higjiena’ në këtë komunë.

Senad Ramaj dhe Besim Osmani kanë dalë para gjykatës për t’u përgjigjur për akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria. I pari akuzuohet për keqpërdorim të detyrës ndërsa i dyti për falsifikim të dokumentit.

Ata fillimisht ishin liruar nga akuzat por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

I akuzuari i parë, Senad Ramaj, akuzohet se si Drejtor i Kompanisë “Eco Higjiena”, në kundërshtim me ligjin, në muajin korrik të vitit 2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin pa pëlqimin e bordit të drejtorëve.

Kur doli sot para gjyqit, Ramaj tha se e kishte miratuar atë Aneks Statut pasi që kishte marrë miratimin nga bordi i drejtorëve.

“Më datën 29 qershor 2015 është mbajtur mbledhja e aksionerëve të “Eco Higjienes”, dhe një prej pikave të rendit të ditës ka qenë ndryshimi i statutit me të cilin do të rritej numri i anëtarëve të bordit nga 5 në 8. Asnjë ndryshim tjetër nuk ka ndodhur në atë aneks statut”, tha Ramaj.

“Besim Osmani i cili akuzohet bashkë me mua ka qenë i angazhuar edhe më herët në kompani, unë e kam gjetur aty, e di se kur është pranuar ai aty nuk ka pasur konkurs dhe nuk e di se si ai është angazhuar aty”, tha i akuzuari Ramaj.

Kurse Besim Osmani, akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka falsifikuar autorizime për të përfaqësuar kompaninë “Eco Higjiena”, në konteste gjyqësore.

Besim Osmani deklaroi se nuk kishte pasur konkurs për pranimin e tij në punë meqë “nuk ka pasur nevojë për konkurs”.

“Autorizimi im ka qenë gjeneral kështu që nuk ka pasur nevojë të marr autorizim të ri për secilën seancë ku kam përfaqësuar, atë (autorizimin), ma ka nënshkruar Bajram Isufi i cili ishte drejtor i kompanisë në atë kohë”, tha i akuzuari Osmani.

Në vazhdim u dha edhe fjala përfundimtare ku Prokuroria kërkoi  nga Gjykata dënimin e të akuzuarve, kurse të akuzuarit kërkuan lirimin e tyre nga akuza, pasi që thanë se nuk e ndjejnë veten fajtorë.

Sipas aktakuzës, Ramaj ka marrë edhe vendime në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokatë të palicencuar me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës një vjeçare.

Shpallja e vendimit për këtë çështje do të bëhet më 17 janar.

I akuzuari akuzon prokurorin se “është privat e jo i shtetit”