Detaje nga gjykimi ndaj Senad Ramajt i akuzuar për shitjen e automjeteve të `Eco Higjienës` për skrap

Seanca ndaj Senad Ramajt, drejtor i kompanisë “Eco Higjiena”,  i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk është mbajtur në Gjykatën e Gjilanit.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e dëshmitarit Fidan Hasani, i cili nuk ishte në seancë për të dhënë dëshminë e tij.

Sipas aktakuzës, Senad Rama, në pozitën e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Aktakuza thotë se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale, ndërsa shitja e tyre e kishte dëmtuar kompaninë për 64,327.53 euro.

Gjykata e Gjilanit, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Senad Ramën, por Gjykata e Apelit në maj të këtij viti e kishte kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë.

Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës në Gjilan është i paqëndrueshëm, pasi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në seancën e sotme, kryetari i trupi gjykues Aziz Shaqiri tha se “Dëshmitari e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë prezent në gjykim për shkaqe shëndetësore”.

Tutje Prokurori Isuf Sadiku tha se “Pasi që nuk është prezent dëshmitari Fidan Hasani unë si përfaqësues i aktakuzës propozoj që seanca e sotme të shtyhet me qëllim të mos shkeljes së Kodit të Procedurës Penale”.

Gjithashtu mbrojtësi i të akuzuarit Senad Rama, avokati Engjëll Rexhepi tha se “Pajtohet me mendimin e Prokurorit të shtetit pasi që edhe vërejtjet e Gjykatës së Apelit kanë qenë pikërisht në dëgjimin e dëshmitarit Fidan Hasani”.

Gjykatësi Shaqiri në fund tha se “Dëshmitari Hasani do të ftohet edhe njëherë dhe nga i njëjti do të kërkohet arsyetim për mungesën e sotme. I njëjti nëse nuk përgjigjet për seancën tjetër do të sillet në mënyrë të detyruar”.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shtye për muajin mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dëshmi të reja në rigjykimin për automjetet e kompanisë të shitura për hekur në Gjilan

.