Me gati dy orë vonesë fillon gjykimi lidhur me rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina Bedri Rexhpi
Në gjykatën e Prishtinës me gati dy orë vonesë ka filluar gjykimi ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, dy të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit nga Prishtina Bedri Rexhepi për përfitim pasuror prej 30 mijë euro.
Fillimisht vonesë kishte nga njësiti i transportit për të sjellur të akuzuarit me kohë në gjykatë, për këtë ishte njoftuar gjykata paraprakisht.
Tutje në sallën e gjykimit nuk ishin prezent mbrojtësit e të dëmtuarve, avokati Besnik Berisha dhe avokati Asdren Bytyqi.
Në mungesë të mbrojtësve pala e dëmtuar nuk pranuan që të vazhdonte gjykimi.
Berisha paraprakisht kishte njoftuar gjykatën me anë të një parashtrese që nuk mund të jetë prezent pasi që i njëjti ishte i angazhuar në një tjetër gjykim dhe përmes parashtresës kishte kërkuar nga gjykata që gjykimi i sotëm të shtyhet për një datë tjetër.
Prokuroria e krimeve të rënda dhe mbrojtësit e të akuzuarve nuk e kundërshtuan një propozim të tillë duke marrë për bazë preferencat e palës së dëmtuar që të mos vazhdon gjykimi pa mbrojtës.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më datën 8 mars të këtij viti.
Ne seancën e mbajtur në dhjetor të vitit që e lamë pas të pandehurit nuk kishin pranuar fajësinë për veprat penale që i’u vihen në barrë.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina Bedri Rexhepin.
E tëra kjo sipas Prokurorisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Tutje sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e privon nga jeta Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Pastaj veturën me të cilën Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jetoni e kishte dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhatin i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jetoni kishte fshehur veturën e të ndjerit.
E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.
E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë si dhe veprën penale dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK
