I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Kushtetuesja refuzon kërkesën e të dënuarit për masakrën në Krushë të Vogël

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konsideruar të pabazuar kërkesën e Dejan A. Vasiq, mbojtës i të akuzuarit Darko Tasiq me pretendimin e shkeljes së të drejtave për gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit.

“Pretendimet për interpretim të gabuar të ligjit nuk kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë, dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës dhe për këto arsye Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Darko Tasiq u dënua me 11 vite burgim për masakrën e kryer në Krushë të Vogël, ku së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare më 15 – 26 mars 1999 pos djegieve, vjedhjeve e plaçkitjeve të shtëpive, akuzohej se kanë djegur kufomat duke i hedhur në lumin Drini i Bardhë.

Lidhur me këtë rast, parashtruesi i kërkesës Dejan A. Vasiq ka konisederuar problematik faktin se Supremja ka theksuar se dënimi maksimal për veprën penale të krimeve të luftës është pesëmbëdhjete (15) vjet burgim, mirëpo që Gjykata e Apelit kishte përcaktuar lartësinë e dënimit duke e llogaritur dënimin maksimal njëzet (20) vjet burgim.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se me vendimin e Supremes nuk mund të konkludohet se ka pasur shkelje të Kodit Penal, siç pretendon parashtruesi i kërkesës.

“Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, për shkak të interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit në fuqi me rastin e përcaktimit të dënimit janë pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese”, thuhet në vendim.

Darko Tasiq nga Gjykata e Prizrenit fillimisht ishte dënuar me 22 vite burgim për masakrën e kryer në Krushë të Vogël.

(VIDEO) Darko Tasiq dënohet për krime lufte në Krushë të Vogël

Pas këtij vendimi Gjykata e Apelit të akuzuarit Tasiq ia kishte përgjysmuar dënimin në 11 vite burgim.

Apeli ia përgjysmon dënimin të akuzuarit për masakrën në Krushë të Vogël

Ndërkaq, më 5 maj 2021 Gjykata Supreme e ka vërtetuar dënimin ndaj Darko Tasiq për Krime Lufte.

Tasiq u shpall fajtor në dy pika të aktakuzës.

Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq në mes të datave 15-26 mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohej edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para Gjykatës së Prizrenit duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.

Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë brenda stacionit të Policisë që është prapa Gjykatës dhe kanë sulmuar automjetin me të cilin po bartej i akuzuari.

Darko Tasiq, gjendet në vuajtje të dënimit ne Burgun e Sigurisë se Lartë në Dyz.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK