Kurti përkujton masakrën e Nabërgjanit: Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën në Nabërgjan të Pejës, kur 31 civilë shqiptarë ishin vrarë gjatë vitit 1999.
“Burra, gra e fëmijë, nga mosha 13 deri në 95 vjeç, të pambrojtur e të paarmatosur, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin të jetonin të lirë në tokën e tyre.”- ka shkruar Kurti.
I pari i Qeverisë ka thënë se ky krim u krye nga makineria shtetërore ushtarake e policore e ideuar dhe planifikuar në Beograd të Serbisë nga regjimi i Millosheviqit.
Synimi, shfarosja e popullit shqiptar. Kurti shkruan se megjithatë, ky plan gjenocidal ka dështuar, populli mbijetoi dhe se tani shqiptarët e Kosovës janë të lirë dhe fitimtar.
“Bashkë me aleatët perëndimorë, Kosova e fitoi luftën dhe u çlirua. Ne po jetojmë në paqe e Republika jonë po zhvillohet e po përparon çdo ditë. Megjithatë, për paqe të plotë, nevojitet drejtësia. Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura.”- shkroi tutje Kurti.
Ai ka shkruar se Qeveria ka forcuar kapacitetet për hetim dhe ndjekje penale, me ç’rast i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesë që kriminelët të dalin para drejtësisë, qoftë edhe në mungesë.
“Sepse e vërteta është në anën tonë, e drejtësia është rruga jonë. Buzëqeshja e fëmijëve dhe përparimi i Kosovës janë dëshmia e fitores sonë. Përkujtimi i së kaluarës është zotimi ynë që ajo të mos përsëritet kurrë. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”- përfundoi shkrimin e tij Kurti.