‘Jeta ime është në pyetje këtu’ - Pjetër Shala kundërshton ndryshimet në deklaratën e dëshmitarit

Në Hagë po vazhdon gjykimi kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili po akuzohet për krime lufte.

Në seancën e së hënës është paraparë të dëgjohet dëshmitari tjetër nga radhët e prokurorisë në cilësi të ekspertit.

Lidhur më këtë, avokati Jean-Louis Gilissen ka deklaruar se si palë mbrojtëse, e shohin vetën të dëmtuar nga takimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) me këtë dëshmitar një ditë para dhënies së dëshmisë së tij.

Ndër tjerash, avokati tha se ju nevojiten 40 orë kohë për të diskutuar me ekspertin e tyre dhe të akuzuarin Shala lidhur me elementet e reja të cilat janë paraqitur nga shënimi zyrtar i ZPS-së lidhur me këtë takim, një ditë më parë, të dielën më 25 qershor.

Avokati Gilissen theksoi se kjo gjë është e padrejtë dhe e papranueshme sepse vendos një pengesë të tepruar mbi mbrojtjen dhe se këto ndryshime të fundit janë në ndesh me të drejtën e akuzuarit dhe me parimin e barazisë së palëve. Sipas tij, mbrojtja gjendet para një fakti të kryer pasi që sot fillohet me dëshminë e dëshmitarit dhe se nuk i’u është dhënë kohë e mjaftueshme për të shqyrtuar elementet e reja që janë paraqitur nga eksperti e as udhëzime nga i akuzuari Shala.

ZPS deklaroi se vendimi mbi familjarizimin e dëshmitarëve përcakton edhe kontaktet përkatëse nga ana e palës që thërret dëshmitarin.

Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia është konsultuar dhe vendosi që seanca e sotme do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga prokuroria dhe me marrjen në pyetje nga mbrojtësi i viktimave nëse ka pyetje ndërsa mbrojtja të vazhdojë me kundër-pyetje në seancën që do të vazhdojë ditën e marte, pasdite.

I akuzuari Shala ndërhyri për këtë çështje, i cili tha se nuk e ka kuptuar se cilat janë ndryshimet e reja në këtë rast dhe që është e drejtë e tij të ketë informacione për to.

“Jeta ime është këtu në pyetje” – tha Pjetër Shala.

Pas kësaj, ekipi mbrojtës ka kërkuar që të iu mundësohet kontakti me Shalën para fillimit të pyetjeve por që këtë e ka kundërshtuar prokuroria, ndërsa trupi gjykues ia ka mundësuar këtë gjatë pushimit të drekës.

Andaj seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e ekspertit.

Avokati Gilissen gjithashtu theksoi se duhet të bëhet një planifikim i ri në lidhje me procedimin e mëtutjeshëm të procesit gjyqësor.

I akuzuari Shala po e përcjell procesin përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Krimet për të cilat Pjetër Shala akuzohet pretendohet se u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 dhe aktualisht mbahet në paraburgim. Më 19 prill 2021, ai paraqitet për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të prokurorit të specializuar, përfaqësuesit të viktimave dhe të mbrojtjes.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë çështje mund t’i lexoni në këtë LINK.