Douglas Young

Douglas Young

Ish-oficeri britanik: 1998 ka qenë vit i vështirë për UÇK-në

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale, Douglas Young, ish-oficer i Ushtrisë britanike që ka shërbyer në misione të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, ka folur për strukturën e UÇK-së nga ajo që kishte kuptuar gjatë vitit 1998.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, lexoi një pjesë të një raporti ku thuhej se nga një përshkrim i përgjithshëm, ishte me vështirësi monitorimi i UÇK-së për shkak të mungesës së hollësive konkrete për strukturën e tyre.

Dëshmitari Young pohoi se kjo ka qenë e vërtetë dhe se pjesë e vështirësisë ka qenë edhe pika e kontaktit, se ku do të takoheshin me ta.

Më tej, janë lexuar pjesë nga një raport i David Willson, për të cilin dëshmitari tha se nuk ka njohuri për pozitën e tij konkrete por se kishte qenë shef në zyrën ndërlidhëse në Prizren dhe se dy verifikuesit nga Misioni Verifikues në Kosovë (MVK) i raportonin atij.

Këto raporte u lexuan për të parë nëse përshkrimet e të njëjtit përputhen me atë se çka dëshmitari kishte parë.

Dëshmitari pohoi se është e saktë se viti 1998 ka qenë vit i vështirë për UÇK-në.

Tutje, shtoi se rritja e tyre e hershme dhe përgjigjet ndaj forcave armike bënë që UÇK-ja të ‘shtrihej’ më shumë se që duhej.

Tutje, dëshmitari tha se pajtohet me atë se UÇK-ja nuk ka qenë e organizuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Dëshmitari elaboroi edhe tri nivelet e organizimit të UÇK-së të përshkruara në këtë raport.

Dëshmitari u pajtua me përshkrimin e nivelit të parë si njësi vendore të fshatrave, të cilat mund të krahasoheshin me njësi të mbrojtjes së brendshme.

Lidhur me nivelin tjetër, dëshmitari pranoi analizën për njësitë territoriale ose zonat, që ishin mbi nivelin e fshatrave.

Ndërsa, lidhur me nivelin më të lartë komandues, dëshmitari tha se nga përvoja e tij në atë kohë kishte vërejtur se kishte tendencë që popullata njëri-tjetrit t’i referoheshin më shumë si individë sesa ‘‘komandanti ky ose ai’’.

Tutje, duke u përgjigjur në këto pyetje, dëshmitari tha se kishte shqetësime për personin e ndaluar që sipas tij lidheshin me rastet e personave të ndaluar nga UÇK-ja, pavarësisht garantimeve të tyre se do të trajtoheshin në bazë të Konventës së Gjenevës.

Lidhur me identifikimin e Fatmir Limajt, dëshmitari tha se këtë e kishte verifikuar edhe nga përkthyesit me përvojë të gjatë dhe nga fotografia e parë më herët.

Dëshmitari Fatmir Limajn e përshkroi si individ kokëfortë dhe jobashkëpunues. Sipas dëshmitarit, Limaj nuk kishte reaguar mirë ndaj vendimeve të tyre, dhe se i njëjti i kishte pyetur nëse kanë kompetencë për ta trajtuar këtë rast.

Tutje, dëshmitari tha se Limaj kishte deklaruar se këtë çështje mund ta trajtonte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Në pyetjet e trupit gjykues, kur dëshmitari u pyet lidhur me deklarimin e tij se çka kishte nënkuptuar për llojin e operacioneve që kishte marrë pjesë Limaj, i njëjti tha se nuk ka njohuri të hollësishme për historikun e tij por që e kishte kuptuar se ishte i rrezikshëm.

‘‘Nuk dua ta them në kontekst negativ, por e kuptova se ishte i rrezikshëm, jo si kritikë por si çështje fakti’’ – tha dëshmitari Young.

Sipas dëshmitarit, emri i Limajt ishte paraqitur edhe në sesione informuese.

Dëshmitari deklaroi që lidhur me Limajn, personalisht e kishte perceptuar se një person nga i cili duhej të kishin kujdes.

Shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë çështje do të vazhdojë më 25 shtator.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 141 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.