Foto: KALLXO.com

I akuzuari te ‘Syri i Popullit’: Ende nuk e di pse jam i akuzuar

Në gjykimin në rastin e njohur si “Syri i Popullit” gjatë seancës së sotme është deklaruar edhe i akuzuari i gjashtë, Halim Halimi.

I akuzuari tha se për “Syrin e Popullit” kishte dëgjuar 2 ditë pasi ka ndodhur plagosja e avokatit dhe ish-funksionarit jugosllav, Azem Vllasit.

‘’Murat Jasharin nuk e njoh por e kam takuar më 3 janar 2017 në odën e Ragip Sallovës, i cili ishte i ftuar si vëllai i Komandant Kumanovës, për themelimin e lëvizjes për bashkimin kombëtar”, deklaroi para trupit gjykues i akuzuari.

“Nuk e kam dëgjuar çka ka fol Murati se ishin diku 80 persona në një dhomë 5 metra”, vazhdoi tutje i akuzuari Halimi.

Më tej ai rrëfeu edhe për qëllimin e shkuarjes në Tiranë.

“Në Tiranë kemi shkuar për themelimin e këshillit iniciues për bashkimin kombëtar me datën 4 dhe 5 shtator 2016”, shtoi Halim Halimi.

I akuzuari tha se qëllimi i tyre ishte bashkimi kombëtar sepse “edhe pse Kosova është shpallur shtet ne ende nuk jemi bashkuar me Shqipërinë”. Ai shtoi se pozita e tij ishte kryetar i degës së lëvizjes për Kosovë.

I pyetur nga prokurori special, Sylë Hoxha, se si është financuar lëvizja e tyre, Halim Halimi tha se shpenzimet i kanë hequr vetë. “Bile unë i kam pasur shumë kushtet e dobëta ekonomike”, tha ai.

“Kush janë tradhtarët e kombit?”, e pyeti prokurori.

“Për mua të gjithë personat para qershorit te vitit 1999 janë tradhtarë, janë garniturë”, deklaroi i akuzuari Halimi.

A e ke kuptuar pasi që e keni parë videon se çka ka thënë Murat Jashari dhe çka ka kërkuar?, e pyeti tutje prokurori Sylë Hoxha.

“Sikur ta kisha dëgjuar se çfarë ka thënë Murati atë ditë do të kisha reaguar”, deklaroi i akuzuari Halimi.

I pyetur se cili ishte kontributi i tij në Lëvizjen për bashkimin kombëtar, i akuzuari tha se ai më 3 janar është zgjedhur e në maj është arrestuar.

“Platforma jonë ka qenë bashkimi I të gjitha trojeve shqiptare me Shqipërinë”, deklaroi i akuzuari.

Në fund, i akuzuari Halim Halimi tha se edhe pse qe dy vite përballet me Gjykatën ende nuk e ka kuptuar pse është i akuzuar.

Seancat e radhës do të mbahen më 30 dhe 31 tetor.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar prokurori special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.