Sadri Ramabaja gjatë seancës gjyqësore në rastin "Syri i Popullit" | Foto: KALLXO.com

Sadri Ramabaja nuk e thotë asnjë fjalë në gjykimin për rastin 'Syri i Popullit'

Sadri Ramabaja dhe Avni Llumica nuk pranuan sot të ballafaqohen për akuzën në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Ramabaja dhe Llumnica shfrytëzuan të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje, duke qëndruar pranë deklaratave të tyre të dhëna më herët.

Ramabaja dhe Llumnica thanë se nuk e ndjen veten fajtor për akuzën që iu bie në barrë.

E dëshmitarët Gëzim Haliti dhe Nuhi Zeka nuk u paraqitën sot në gjykatë për të dhënë versionin e tyre lidhur me këtë rast.

Në këto rrethana prokurori special Burim Qerkini kërkoi nga trupi gjykues që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve anonim. Po kjo kërkesë u hodh poshtë nga trupi gjykues pas kundërshtimeve të mbrojtjes.

Prokurori deklaroi që në vazhdimësi të këtij procesi janë  përdorur terma jo adekuat ndaj dëshmitarëve.

“Janë përdor shprehje qe nuk duhet me u përdor, si dëshmitar fiktiv dhe dëshmitar të rrejshëm” – tha Qerkini.

Avokati Ramiz Krasniqi tha që për vetë faktin që prokuroria  nuk ka mundur t’i siguroj këta dëshmitarë që të dëshmojnë në gjykatë, për të janë dëshmitarë të rrejshëm.

Në fund mbrojtja e të akuzuarve kërkoi nga prokurori i rastit të tërhiqet nga ndjekja.

Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar 2019, kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMW X6”.

Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me ish të pandehurin tashmë të ndjerin Murat Jashari, e që ky i fundit ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar i vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tashmë të ndjerin ish të pandehurin Jashari, në atë mënyrë që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË X6, me targa të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’rast ish i pandehuri Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në villa “Panorama” në fshatin Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.

Ndërsa sipas aktakuzës, më 13.03.2017, pasi ish i pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMË X6, me targa zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të ndjerit e ish të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër. Mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me ish të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se Sadri Ramabaja me dashje që Jashari të vriste tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të ish të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.

Pastaj thuhet se, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 ish i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore, ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga Policia shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, duke i zbatuar rekomandimet e vendimit të Apelit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.