Arkiv - Shpallja e aktgjykimit në rastin 'Syri i Popullit' - 22.01.2020

I akuzuari Avni Llumnica arrestohet në Shqipëri, dështon seanca në rastin e plagosjes së Azem Vllasit

Ka dështuar seanca në rastin e njohur si “Syri i popullit”, arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Avni Llumnica.

Gjyqtari i rastit Musa Konxheli tha se, dje mbrojtja e Llumnicës, Naim Rudari kishte njoftuar Gjykatën se Llumnica është ndaluar në Shqipëri, për një procedurë tjetër në Gjykatën e Kukësit që nuk ka të bëjë me rastin “Syri i popullit” dhe se nuk mund të marrë pjesë në seancën e sotme.

Seanca e radhës u caktua për datën 6 shtator.

Llumnica ishte liruar nga paraburgimi, me masën e dorëzanisë të cilën e ka paguar më 20 mars 2021, në shumë prej 20.000 eurosh, në mënyrë që të vazhdojë leje qëndrimin në Zvicër.

Lajmin për lirimin nga paraburgimi të Avni Llumnicës, e ka konfirmuar për KALLXO.com gjyqtari Musa Konxheli.

Kujtojmë se Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar 2019, kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMW X6”.

Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim dhe Halim Halimi ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Ndërsa Bajrush Konjusha ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.

Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.

Ndërsa, tashmë të ndjerit, Murat Jashari, iu kishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues. Jashari ka vdekur ditë më parë.

Në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të Gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi – Jashanica, Apeli gjeti 11 shkelje të ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.

Po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabaja ta lirojë nga paraburgimi.

Apeli ka gjetur 11 shkelje esenciale që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mos-përpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mosarritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.

Në aktakuzën e dytë të Prokurorisë thuhet se ndaj Murat Jasharit, tani të ndjerë, ishte ndarë procedura, dhe paraqitur propozimi për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Jasharit më 9 shkurt 2021 i është shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Ndërsa më 3 mars 2021, Murat Jashari ka vdekur.

Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, duke i zbatuar rekomandimet e vendimit të Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me ish të pandehurin tashmë të ndjerin Murat Jashari, e që ky i fundit ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar i vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tashmë të ndjerin ish të pandehurin Jashari, në atë mënyrë që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË X6, me targa të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’rast ish i pandehuri Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në villa “Panorama” në fshatin Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.

Ndërsa sipas aktakuzës, më 13.03.2017, pasi ish i pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMË X6, me targa zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të ndjerit e ish të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër. Mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me ish të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se Sadri Ramabaja me dashje që Jashari të vriste tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të ish të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.

Pastaj thuhet se, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 ish i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore, ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga Policia shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

Kurse tutje thuhet se, të pandehurit Bajrush Konjusha me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij më 25.05.2017, i është konfiskuar një pistoletë e gazit “Voltran Mini” me gaz, këtë armë e ka blerë në Gjermani dhe e ka sjellë në Kosovë respektivisht e ka ndryshuar dhe e ka bërë funksionale për fishekë të armës të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent. Gjithashtu në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion i pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent, thuhet në aktakuzë.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll se posedim të paautorizuar të armëve.

Kujtojmë se kjo aktakuzë ishte konfirmuar.

Dëshmitari në rastin “Syri i popullit”, identifikon Avni Llumnicën si shoqërues të Murat Jasharit