Foto: KALLXO.com

Azem Vllasi dëshmoi në gjykimin e të akuzuarve për tentim vrasjen e tij

Në seancën e mbajtur në rastin e njohur si “Syri i Popullit” është dëgjuar avokati Azem Vllasi, i cili në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.

Prokurori i rastit Burim Çerkini tha se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se Avni Llumnica ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë me Murat Jasharin tashmë të ndjerë, dhe se do të lexohen provat materiale që e bëjnë të pakontestueshme se në ditën kritike ka ndodhur lëndimi i rëndë trupor i të dëmtuarit Vllasi.

Ai po ashtu i propozoi Gjykatës që provave të nxjerra në këtë shqyrtim t’ua falë besimin dhe të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat që u vihen në barrë.

“I propozoj Gjykatës që nga provat e nxjerra në këtë shqyrtim dhe atyre provave t’ua falë besimin, dhe të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e tyre penale”, tha Çerkini.

Mbrojtësi i të dëmtuarit Vllasi, Nasuf Hasani, tha se në bazë të provave të vlerësuara nga Gjykata do të vërtetohet sërish e njëjta gjë sa i përket fajtorëve.

“Konsideroj se është vërtetuar pretendimi i Prokurorisë, por dhe pas kësaj aktakuze të paraqitur nga Prokuroria, vlerësoj se Gjykata në bazë të provave ka vlerësuar dhe prapë do vërtetohet e njëjta gjë”, tha avokati Hasani.

Kurse Vllasi u pajtua me avokatin Hasani.

“Pajtohem me avokatin përfaqësues Nasuf Hasani, mbështes aktakuzën e paraqitur këtu me një vërejtje, vlerësoj se në bazë të të gjitha provave kemi të bëjmë me veprën penale – bashkëkryerja për të dy të akuzuarit, e jo te i pari bashkëkryerje e te i dyti ndihmë në kryerjen e veprës penale. Mbes në tërësi pranë fjalës hyrëse të gjykimit që është në shkresa të lëndës, ju sugjeroj lidhur me pretendimet e aktakuzës për vrasje në tentativë vëmendje të posaçme t’i kushtoni ditës kritike, para se të më sulmojë i ndjeri Murat Jashari dhe përgatitjet në restorant “Panorama””, tha Vllasi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Llumnica, Naim Rudari, tha se qëndrojnë para të gjitha kundërshtimeve të paraqitura para kësaj aktakuze.

“Qëndrojmë para të gjitha kundërshtimeve të paraqitura para kësaj aktakuze por dhe në fazën e gjykimit, ndonëse që nga ajo kohë respektivisht nga data 13 mars 2017 Avni Llumnica gjendet nën masën e paraburgimit, ku paraprakisht prokurori special i Republikës së Kosovës ia kishte vënë në barrë një numër të madh të veprave penale, më pas e kishte akuzuar për veprat – hakmarrje, organizim i veprave terroriste dhe vepra tjera kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Më pas u deshën 3 vjet e 7 muaj, po ashtu dhe reagimi, udhëzimet e Apelit për të kuptuar Prokuroria se s’kishim të bënim me ato vepra, që Prokuroria vetëm sa e kishte ngarkuar për ta bërë çështjen sa më serioze”, tha Rudari.

Ai shtoi se sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit kemi një aktakuzë të re ku Llumnica akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje e mbetur në tentativë, e që sipas tij kjo aktakuzë është më e pasaktë e më e çuditshme se aktakuza e parë.

Tutje tha se kjo aktakuzë ka shkaktuar pasoja të rënda te Llumnica, pasi i njëjti qëndron në masë paraburgimi për 4 vite e 1 muaj, e që përjeton kufizmin e lirisë, që sipas tij “deri sa prokurori t’ia qëllojë se çka ka bërë Llumnica” dhe kërkoi nga Gjykata që ta vlerësojë dhe ndërprejë masën e paraburgimit ndaj Avni Llumnicës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi, tha se prokurori special nuk ka respektuar vërejtjet e Gjykatës së Apelit kur e njëjta ka përmbysur një aktakuzë tepër joprofesionale.

“Konsideroj se prokurori special nuk ka respektuar vërejtjet e Apelit, kur e njëjta e ka përmbysur një aktakuzë tepër joprofesionale, aktakuza e re mbështetet mbi 4 të pavërteta e që fjalori i gjuhës shqipe përcakton qartë se çka janë të pavërteta, unë s’po e them këtë fjali për hir të Gjykatës, cilat janë këto të pavërteta që gjatë administrimit të provave s’do vërtetohen në asnjë mënyrë. Ku Prokuroria e thotë të kundërtën e kësaj që thuhet në aktakuzë, e që e vërteta e parë del kur thuhet se i mbrojturi im i ka dhënë këshilla dhe udhëzime se si të kryhet vepra penale duke mos e përmendur asnjë këshillë apo udhëzim që i njëjti ia ka dhënë tani të ndjerit Jashari”, theksoi avokati Krasniqi.

Po ashtu ai tha se Azem Vllasi e di se nga kush është viktimizuar.

I akuzuari Sadri Ramabaja theksoi se në Pallatin e Drejtësisë është arratisur drejtësia.
“Unë vij sot në cilësinë e të akuzuarit për ndihmë në tentim vrasje të cilësuar nga Prokuroria, në këtë Pallat Drejtësie kishte munguar, apo më mirë të shprehem ishte arratisur drejtësia, unë nga krerët e shtetit dhe po akuzohesha si ideolog i terrorizmit dhe si ideolog i organizatës së parë terroriste shqiptare. Ndjehem fitimtar në betejën e parë me drejtësinë, më vjen mirë se akuza për terrorizmin ka rënë poshtë, jo për shkak të personaliteti tim si ish i burgosur politik, si profesor universitar e autor librash, por mbi të gjitha më vjen mirë për Republikën e Kosovës, se nuk do të mbetet në aktet ligjore një tentativë për t’ia imponuar krijimin e një organizate terroriste. Më vjen mirë gjithashtu se drejtësia ndërkombëtare do merret me ata që de facto ishin autorë të asaj aktakuze”, tha Ramabaja.

Gjatë dëgjimit të Azem Vllasit si dëshmitar, prokurori Çerkini propozoi që deklarata e Vllasit e datës 16 korrik 2018 të konsiderohet e lexuar për shkak të ekonomizimit të procedurës.

Vllasi u dakordua me këtë propozim të prokurorit.

“Jam dakord me propozimin e prokurorit, qëndroj në tërësi pranë deklaratës në cilësi të dëshmitarit të datës 16 korrik 2018, qëndroj dhe pranë deklaratës së dhënë në hetuesi para se me u ngritë aktakuza”, theksoi Vllasi.

“E di se në bazë të shkresave të kësaj lënde dhe çka ka gjetë prokurori lidhur me rolin e Avni Llumnicës lidhur më përgatitjen e sulmit ndaj meje, nga ana e shokut tij të ngushtë Murat Jasharit, që e ka shoqëru prej vozitjes nga Zvicra e këtu deri në tentim për të ikur kur ai e ka kry veprën, sulmin ndaj meje dhe i ka thënë “e piva kafen, po ikim”, që gjendet në shkresat e lëndës. Nga shkresat e lëndës e konsideroj si moment vendimtar, kyç, në takimin mes Murat Jasharit, Avni  Llumnicës dhe Sadri Ramabajës , e cila nuk është kontestuese, sepse vet kanë thënë se kanë qenë aty dy ditë pas sulmit ndaj meje”, shtoi Vllasi.

Pastaj Avni Llumnica e pyeti Vllasin se nga ku e di se Murat Jashari ka qenë shok i ngushtë me të dhe Vllasi u përgjigj se këtë informacion e ka marrë nga shkresat e lëndës.

Seanca e radhës u caktua për datën 19 prill.

Kujtojmë se Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar 2019, kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMW X6”.

Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim dhe Halim Halimi u dënua me 3 vjet burgim.

Ndërsa Bajrush Konjusha ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.

Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.

Ndërsa, tashmë të ndjerit, Murat Jashari, iu kishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues. Jashari ka vdekur ditë më parë.

Në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të Gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi – Jashanica, Apeli gjeti 11 shkelje të ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.

Po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabaja ta lirojë nga paraburgimi.

Apeli ka gjetur 11 shkelje esenciale që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mospërpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mosarritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.

Në aktakuzën e dytë të Prokurorisë thuhet se ndaj Murat Jasharit, tani të ndjerë, ishte ndarë procedura, dhe paraqitur propozimi për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Jasharit më 9 shkurt 2021 i është shqiptuar masa e e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Ndërsa më 3 mars 2021, Murat Jashari ka vdekur.

Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, duke i zbatuar rekomandimet e vendimit të Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me ish të pandehurin tashmë të ndjerin Murat Jashari, e që ky i fundit ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar i vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tashmë të ndjerin ish të pandehurin Jashari, në atë mënyrë që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMW X6, me targa të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’rast ish i pandehuri Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në villa “Panorama” në fshatin Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.

Ndërsa sipas aktakuzës, më 13.03.2017, pasi ish i pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMW X6, me targa zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të ndjerit e ish të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër. Mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me ish të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se Sadri Ramabaja me dashje që Jashari të vriste tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të ish të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.

Pastaj thuhet se, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 ish i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore, ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga Policia shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

Kurse tutje thuhet se, të pandehurit Bajrush Konjusha me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij më 25.05.2017, i është konfiskuar një pistoletë e gazit “Voltran Mini” me gaz, këtë armë e ka blerë në Gjermani dhe e ka sjellë në Kosovë respektivisht e ka ndryshuar dhe e ka bërë funksionale për fishekë të armës të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent. Gjithashtu në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion i pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent, thuhet në aktakuzë.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll se posedim të paautorizuar të armëve.

Kujtojmë se kjo aktakuzë ishte konfirmuar.