Gjykimi për krim të organizuar, dëshmitari rrëfen se si punonte shofer i një zv/ministri edhe pse nuk kishte patentë shoferi
Dëgjohen 5 dëshmitarë në rastin e 8 të akuzuarve për krim të organizuar, për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimi me migrantë
Pesë dëshmitarë janë rrëfyer në seancën ndaj Florim dhe Florent Krasniqit, Taulant Bilallit, Sadat dhe Samed Muratit, Haki Malokut, Bekim Hasanit dhe Izet Koplingerit, të akuzuar për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Dëshmitari i parë Xhevdet Parduzi tha se të akuzuarin Sadat Murati e njifte përmes një shokut të tij J.R. i cili tashmë kishte ndërruar jetë.
Ai tha se i ndjeri J.R. dhe Sadati kishin biseduar rreth një autorizimi për një pronë në Vushtrri të cilën J.R. donte që ta shiste.
Për përkthim të këtij autorizimi dëshmitari tha se Sadati të ndjerit J.R. i kishte kërkuar 850 euro ndërsa J.R. atë ditë Sadatit i kishte dhënë 400 euro.
Dëshmitari i dytë Astrit Grajqevci në dëshminë e tij tha se nuk qëndronte pranë deklaratës së tij të dhënë në polici pasiqë ishte i friksuar nga zyrtarët policor.
Kjo frikë sipas tij ju ka shkaktuar për shkak se sipas tij zyrtarët policor ishin sjellë keq ndaj Sedat dhe Samed Muratit duke i sharë ata.
Tutje Besim Islami si dëshmitari i tretë në këtë seancë tha se në treg, ku ai punon, kishte qenë një djal me kolicë dhe për t’i ndihmuar këtij djali, dëshmitari bashkë me disa shokë të tij kanë mbledhur të holla.
Këto ai tha se i kishin mbledhur në mënyrë që djalit me kolicë t’i ndihmonin në shtëpi si dhe për të marrë një vizë që ai të del jashtë shtetit.
Dëshmitari i katërt me radhë, Arsim Berisha tha se për një patentë shofer të falsifikuar kishte paguar 100 euro.
Ndërsa për rregullimin e këtij dokumenti tha se ishte njoftuar përmes një të afërmi të tij.
Ai shtoi se personi nga i cili e kishte pranuar këtë patentë shofer edhe të cilit ia kishte bërë pagesën nuk ishte asnjëri nga të akuzuarit në sallën e gjykimit.
Së fundmi dëshmitari Xhafer Tahiri tha se edhe pse nuk kishte patentë shofer fare kishte punuar si shofer i Zëvëndës Ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Florian Dushi.
Berisha tha se Dushin e kishte vozitur vetëm një javë dhe pastaj i kishte ndodhur një aksident ku e kishte prishur dritën sinjalizuese të veturës.
Andaj ai kishte shkuar në Vushtrri për të kërkuar autopjesë ku ishte takuar me një person në treg i cili i kishte ofruar rregullimin e një patentë shofer të falsifikuar.
Dëshmitari Berisha tutje tha se ai person pas një ore i kishte sjellur patentë shoferin dhe Berisha për këtë e kishte paguar 100 euro.
Prokuroria Speciale në vitin 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Në cilësinë e të akuzuarve sipas Prokurorisë janë Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrantë.
Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi sipas Prokurorisë është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.
Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin dhe kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.
Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.
Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.
Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë akuzohen se për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3000 euro.
Përveç kësaj Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.