Gjykimi per detyrim -Foto: KALLXO.com

Gjykimi për detyrim, Prokuroria dhe mbrojtja e të dëmtuarit akuzojnë Gjykatën se ka administruar prova në mënyrë të kundërligjshme

Në seancën e të martës të gjykimit të Asdren Mekajt, i akuzuar për detyrim, Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e të dëmtuarit Pal Gruda, kanë hedhur akuza dhe kanë kundërshtuar trupin gjykues rreth administrimit të provave.

Asdren Mekaj po akuzohet nga Prokuroria se ka përdorur kërcënime ndaj Pal Grudës, duke e detyruar që t’i japë të holla dhe makina në periudha të ndryshme në vlerë rreth 200 mijë euro.

Rasti në Gjykatën e Prizrenit po gjykohet nga Teuta Krusha, kryetare e trupit gjykues, dhe Sami Gashi dhe Luan Berisha- anëtarë. Aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina-Rugova.

Prokuroria Speciale dhe mbrojtja e të dëmtuarit kanë ngritur kundërshtime, duke akuzuar Gjykatën për procedura të kundërligjshme gjatë administrimit të provave materiale në fazën e marrjes në pyetje të të akuzuarit.

Mbrojtësi i Pal Grudës, Miftar Qelaj, ka theksuar se Gjykata ka lejuar avokatin e të akuzuarit, Besnik Berisha, të përdorë prova që nuk janë paraqitur në gjykim.

Avokati Qelaj argumentoi se pjesa e komunikimeve në rrjete sociale është administruar nga Gjykata, megjithëse tekstet e tyre nuk janë në dorë të tij. Ai ka kërkuar nga trupi gjykues të verifikojë nëse këto komunikime janë pjesë e dosjes së lëndës dhe ka shprehur shqetësimin se Gjykata po shkel procedurat.

“Në procedurën e provave gjatë administrimit të provave materiale Gjykata ka administruar disa nga komunikimet në rrjete sociale të cilat janë dorëzuar nga mbrojtja. Por teksti që po i referohet tani mbrojtja unë nuk i posedoj personalisht këta SMS e aq më tepër kur edhe Gjykata pranë vetes nuk i ka të njëjtat por këto i ka marrë kopje nga mbrojtësi. Kisha kërku nga trupi gjykues që të verifikojë se këta SMS që i fotokopjoi mbrojtja a janë në shkresa të lëndës. Nëse jo, atëherë Gjykata ka kaluar në administrim të provave e që mbrojtja këto nuk i ka propozuar si provë. Konsideroj se vazhdimi në këtë formë nga Gjykata është shkelje procedurale. Duke mos leju që Gjykata të mos bëjë veprime të kundërligjshme kërkoj që të njëjtat të verifikohen” – tha avokati Miftar Qelaj.

Në anën tjetër, Besnik Berisha, mbrojtës i Asdren Mekajt, ka hedhur dyshime mbi pretendimet e avokatit. Ai ka thënë se dëshpërimi i tyre është i dukshëm dhe po tentojnë t’i largojnë ato prova që mund të ndikojnë në përfundimin e lëndës.

Berisha ka theksuar se materialet mund t’i jepen palëve të interesuara ose mund të shikohen nga ekzaminimi i telefonit.

“Nëse po ankohen për mungesë materiale ne edhe një herë e prodhojmë për çka nuk e kemi detyrim. E nëse po ankohen se ky material nuk ka ekzistuar dhe dikush në letër e ka ‘gatuar’ e kemi telefonin me vete ku mund të qasemi në këta monitorë dhe pa lajthim mund ta dëgjojmë secilën fjali për fjali” – tha avokati Berisha.

Në anën tjetër, prokurorja Merita Bina-Rugova nga Departamenti i Prokurorisë Speciale ka shfaqur skepticizëm ndaj procedurave të Gjykatës.

Ajo ka theksuar se në një gjykim serioz nuk duhet të lejohet servimi i provave të reja në këtë fazë dhe ka kërkuar nga gjykatësja të mos lejojë marrjen në pyetje në mënyrë të tillë.

“Në vitin 2017, nga ana e mbrojtësit të atëhershëm Arben Hoti janë dorëzuar komunikime respektivisht 30 faqe komunikime me foto, me biseda kinse në mes të akuzuarit dhe të dëmtuarit. Prokuroria ka propozuar që këto prova të administrohen dhe vlerësohen me peshën që e meritojnë. Besoj se në asnjë gjykim serioz nuk do të lejohej që në fazën e marrjes në pyetje të të akuzuarit të servohen prova të reja të cilat quhen të ligjshme dhe të insistohet në ligjshmërinë e administrimit të tyre. Fuqishëm e kundërshtoj këtë veprim nga ana e mbrojtësit dhe përsëri kërkoj nga trupi gjykues që të mos lejojë marrjen në pyetje në mënyrë të tillë” – theksoi prokurorja Bina-Rugova.

Pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave për verifikim, trupi gjykues ka lejuar marrjen në pyetje të të akuzuarit.

Asdren Mekaj ka deklaruar se SMS dhe komunikmet rreth shitblerjes së makinave të bëra në vitin 2011 dhe 2013, janë të shkruara nga vetë Pal Gruda.

“Të gjithë SMS e dërguara në rrjetet sociale ose numrat e telefonit të cilat Pali në atë kohë i posedonte janë shkruar dhe janë dërguar nga vetë Pal Gruda. Këto pretendime më shumë ngjajnë në skenar të filmave të Halil Budakovës” – deklaroi Mekaj.

Tutje Mekaj ka kundërshtuar edhe komunikimin e datës 30 nëntor 2012, duke theksuar se ai është mashtruar dhe dëmtuar nga Pal Gruda.

“Të gjitha SMS janë të dërguara nga vetë Pali dhe gatimi i vetëm në këtë rast është mashtrimi që Pali më ka bërë mua. E nderuar gjykatë, para se të njihja Palin unë kam pasur shtëpi, tokë në Rugovë të Pejës, vetura, biznis timin ndërsa sot jetoj me qira dhe i vetmi i dëmtuar në këtë proces jam unë sepse vetura të cilat i kam shitur Palit i kam marrë borxh me mendimin e fitimit të vogël dhe borxhet të cilat unë jam futur i kam paguar me pasurinë e trashëguar nga babai” – tha Mekaj.

Ndërkaq vërejtje karshi trupit gjykues për ndërprerje e moslejim të fjalës ka paraqitur i dëmtuari Pal Gruda. Sipas tij, trupi gjykues nuk po e lejonte mbrojtësin e tij që të fliste për proces.

Seanca e radhës u caktua për më 4 dhe 6 mars 2024.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Asdren Mekaj për veprën penale – detyrimi, nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale – shantazhi nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Por Gjykata e Apelit, në gusht të vitit 2018 në mungesë të provave ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Ndryshe, këtë lëndë e ka gjykuar ish-gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtjes gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të Gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.