Grupi i 'hakerëve', mbrohen në heshtje shtatë prej tetë të akuzuarit për përfitim të rreth 200 mijë eurove

Shtatë prej tetë personave e njohur si “hakerët”, të akuzuar për përfitimin e rreth 200 mijë eurove përmes falsifikimit të çeqeve dhe tërheqjes së parave nga bankat, janë mbrojtur në heshtje në Gjykatën e Prishtinës më 25.03.2024.

Ata po akuzohen nga Prokuroria për krim të organizuar, hyrje në sisteme kompjuterike, lëshim të çeqeve pa mbulesë dhe keqpërdorim të kartelave të bankës si dhe për pastrim të parave, akuza këto të ngritura 17 vite më parë.

Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Mimoza Beqiri dhe Klodiana Raka në seancën e së hënës vendosën të mbroheshin në heshtje.

Ndërkaq për dallim prej tyre mbrojtjen e dha i akuzuari, Sadullah Behluli.

Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari Behluli tha se në periudhën kur supozohet të jetë kryer vepra për të cilën akuzohet ai ka pasur biznes ku ka ofruar një fushë të gjerë shërbimesh që lidhen me fushën kompjuterike, ndër to edhe dizajn grafik dhe atë dizanjimin e bexhave dhe shtypjen e tyre.

Këta bexha, i akuzuari deklaroi se i ka punuar për klientë të ndryshëm përfshirë Shoqatën e gjuetarëve, Kuvende Komunale si dhe për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas tij, për QKUK kanë punuar rreth 4 mijë bexha.

Kështu, i akuzuari e quajti “të ulët nivelin e profesionalizmit të hetuesve”, të cilët kanë kryer bastisje në pronat e tij.

“Fakt i profesionalizmit të nivelit të ulët të hetuesve të cilët nuk i kanë dalluar gjësendet, për shembull kanë konfiskuar kartela të plastikës, disa blanco e disa prej tyre me logo të institucioneve, asnjë prej tyre nuk kanë qenë kartela të bankës” – deklaroi i akuzuari.

Përveç kësaj i akuzuari deklaroi se asnjërin prej të akuzuarve nuk ka njohur në periudhën inkriminuese, përveç të akuzuarit Edmond Gashin me të cilin ka lidhje familjare.

Për të akuzuarin Gashi ishte veçuar procedura për shkaqe shëndetësore.

Lidhur me këtë, i akuzuari mohoi të ketë punësuar ndonjëherë të akuzuarin Gashi në biznesin e tij, për dallim prej asaj se çka thuhet në shkresat e lëndës.

Ndërkaq i akuzuari deklaroi edhe lidhur me pjesën e aktakuzës që ka të bëjë me lëshimin e çeqeve.

“E di çfarë janë çeqet, por në Kosovë nuk janë aplikuar asnjëherë” – tha i akuzuari duke u përgjigjur në pyetjen e avokates së tij Vlora Berisha.

Përveç mbrojtjes në seancën e së hënës (25.03.2024) u bë edhe vazhdimi i dëgjimit të dëshmitarit Zijadin Isaku, i cili kishte qenë hetues në kohën kur supozohet të jetë kryer vepra penale.

Dëshmitari Isaku deklaroi se ka marrë pjesë në bastisjen e tre lokacioneve të të akuzuarve, banesën e Driton Konushevcit, banesën e Valton Isufit dhe shtëpinë e Sadullah Behlulit.

I njëjti dëshmitar tha se hetuesia rastin e ka iniciuar në bazë të kërkesës së bankave që kanë kërkuar ndihmë.

Lidhur me kartelat e sekuestruara gjatë bastisjes, duke iu përgjigjur avokates Vlora Berisha, dëshmitari deklaroi se ato pajisje ishin ekzaminuar nga Njësia e Forenzikës.

“Me aq sa e di unë këto pajisje janë ekzaminuar në Njësitin e Forenzikës të asaj kohe dhe meqë kjo ka qenë lëmi e re nuk kemi pas pajisje vendore për të i ekzaminuar na kanë ardhur në ndihmë” – tha dëshmitari.

Përveç kësaj u administruan edhe provat materiale, ndër të cilat ishin raportet e komunikimit mes disa prej të akuzuarve në rrjete sociale si dhe një CD me 10 mijë pin- kode me xhirollogari të personave të dëmtuarve nga të gjithë vendet e botës, të gjetur në kompjuterin e të akuzuarit Driton Konushevci dhe Valton Isufi.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Fatime Dermaku dhe me anëtarët Ertan Sejfulla dhe Naser Foniqi. Ndërkaq aktakuza po përfaqësohet nga Prokurorja Speciale Merita Bina Rugova.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më datë 19.04.2024.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit që nga viti 2005 kanë përfituar dobi pasurore rreth 200 mijë euro përmes falsifikimit të kartelave bankare.

Kjo siç përshkruan Prokuroria në aktakuzë të akuzuarit e kanë bërë përmes kyçjes në sisteme kompjuterike.

Në aktakuzë theksohet se të akuzuarit më pas kishin tërhequr shuma të ndryshme të parave nga xhirollogaritë e personave nga mbarë bota, në emër të bankave ‘Reiffesien’ dhe ‘ProCredit.’

Këto veprime të pandehurit i kanë ndërmarrë në bashkëpunim me disa “hakerë” të cilët akoma mbeten të panjohur për Prokurorinë.

Të njëjtit siç pretendohet në aktakuzë i kanë pajisur të akuzuarit Driton Konushevci dhe Valton Isufi me pin-kodin e 10,000 xhirollogarive bankare të personave të huaj, me të cilët të akuzuarit kishin arritur të kyçeshin në llogaritë bankare prej të cilave kanë bërë tërheqjet e parave.