Haradinaj flet për rikthimin e tij në Kosovë dhe krijimin e 'Brigadës 138' në Koshare

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati Kedman, Nasim Haradinaj ka thënë se në Kosovë është rikthyer në momentin kur e ka marrë vesh se është sulmuar familja Haradinaj në Gllogjan të Deçanit.

“Legalisht unë kam hyrë në Kosovë si i armatosur më 01.01.1998. Nga Australia dhe atje e kam marrë vesh se është sulmuar fshati im, familja ime, prej atje e kam ndërprerë vizitën dhe jam kthyer në Kosovë”, ka thënë Hardinaj.

Haradinaj ka folur edhe për formimin e “Brigada 138” në Koshare.

“Unë bashkë me kontributin e shokëve të mi kemi arrit të krijojmë “Brigada 138” në Koshare. Pjesa e Koshares është specifike sepse kemi qenë në konsultim me oficerët amerikanë dhe shqiptarë dhe mendoj se serbët i dijnë mirë pasojat e kësaj lufte dhe kësaj brigade”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.