Nasim Haradinaj - 07.10.2021

Gjykata Speciale liron Nasim Haradinajn

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj është liruar me vendim të Gjykatës Speciale.

“Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj” – thuhet në vendim.

Në vendimin e Speciales theksohet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:

  • Garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në parashtrimet e Haradinajt;
  • Të informojë administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga kryetarja;
  • Të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga administratorja;
  • Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;
  • Të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga kryetarja;
  • Të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS.
  • Të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në.
  • Të kërkojë leje dhe miratim nga administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);
  • Të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;
  • Të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

Gjykata ka theksuar se nëse Haradinaj nuk përmbush kushtet e përcaktuara në vendim, ky vendim do të anulohet.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së Gucati dhe Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.