Ministria e Drejtësisë: Afër 23 milionë euro janë shpenzuar për avokatët e 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së

Afër 23 milionë euro janë shpenzuar për avokatët e 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë, thekson në përgjigjen për KALLXO.com Ministria e Drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, më së shumti janë shpenzuar për mbrojtjen e Jakup Krasniqit – gjithsej 3,697,250.00 euro.

Pastaj për avokatët mbrojtës të Rexhep Selimit – gjithsej 3,629,700.00 euro.

Pas tyre vjen Hashim Thaçi. Sipas përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë për KALLXO.com për mbrojtjen e Hashim Thaçit janë shpenzuar 3,483,301.02 euro.

Për mbrojtjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 3,359,724.91 euro.

Për avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit Ministria e Drejtësisë thotë se ka paguar 2,367,759.00 euro.

Pastaj, 2,272,672.14 euro janë shpenzuar për ekipin mbrojtës të Salih Mustafës.

Gjithashtu, për mbrojtjen e Nasim Haradinajt janë paguar 2,219,963.94 euro, e për ekipin mbrojtës të Pjetër Shalës janë paguar 1,915,000.00 euro.

Gjithsej Ministria thotë se ka paguar 22,945,362.01 euro.

Ministria e Drejtësisë sqaron se kjo shumë është paguar për periudhën nga viti 2021 deri më sot.

Gjithashtu, Ministria thekson se kjo shumë është për pagesat vetëm të avokatëve me të cilët ka lidhur marrëveshje për përfaqësim.

KALLXO.com raportoi se më një parashtresë të bërë më 19 janar të këtij viti, avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe ekipi mbështetës i Greenberg, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja për Hashim Thaçin, për shkak se, siç thonë ata, Thaçi nuk ka arritur të përmbushë detyrimet financiare ndaj tyre.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Salih Mustafa, ndërkaq, është dënuar edhe nga Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Apeli e kishte ulur në 22 vjet burg dënimin e Mustafës, të cilin shkalla e parë e kishte dënuar me 26 vjet burgim.

 

Edhe Pjetër Shala po gjykohet për krime lufte.

Ndërsa, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati ishin dënuar nga Gjykata Speciale.

Ata akuzoheshin për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati e Haradinaj tashmë janë liruar.

www.kallxo.com