Liburn Aliu i shkon në vizitë për mirëseardhje Nasim Haradinajt pas lirimit të tij nga Haga

Pasditen e së shtunës, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar një vizitë te Nasim Haradinaj, pas lirimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kështu njoftoi Aliu përmes një postimi dhe fotografie në rrjetin social “Facebook”.

“Tek luftëtari i lirisë Nasim Haradinaj, të cilit i uruam mirëseardhje në shtëpinë e tij” – ka shkruar ministri Aliu.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj më 14 dhjetor është liruar me vendim të Gjykatës Speciale.

Nasim Haradinaj bashkë me Hysni Gucatin u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së Gucati dhe Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.