Gjykata Speciale paralajmëron sanksione ndaj ZPS-së për mos-sigurimin e dëshmitarëve sipas rendit dhe kalendarit

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të së enjtes, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaqi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ishte paracaktuar të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të dhjetë, të identifikuar me kodin 03540.

Me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit të nëntë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Smith deklaroi se “nuk paskemi dëshmitar tjetër për sot, kështu që pas pak dua të flasim për këtë”.

Trupi gjykues theksoi se ZPS është e vetmja përgjegjëse lidhur me dëshmitarët në këto momente gjykimi.

Andaj në mungesë të sigurimit të dëshmitarëve sipas rendit dhe kalendarit, apo në rastet kur nuk ka kundër-pyetje për dëshmitarin apo nëse këto pyetje zgjasin më pak nga që pritej, ZPS duhet të sigurojë një dëshmitar alternativ në mënyrë që të mos ketë vonesa në procedurë.

Trupi gjykues deklaroi që ZPS mund të sanksionohet në një moment tjetër të një shkeljeje të tillë.

“Ky është një paralajmërim i parë për ZPS-në, një shkelje e dytë do të konsiderohet dhe do të shqyrtohet pastaj për marrje sanksionesh”.

“ZPS ka bërë shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrit të trupit gjykues përsa i takon zhvillimit të procedurës”, theksoi gjykatësi Smith.

Gjykatësi ndër tjerash, tha, se të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces gjyqësor si dhe katër të akuzuarit të cilët vazhdojnë qëndrimin në paraburgim, presin dëshmitarin e radhës në mënyrën që ta përdorin kohën në një mënyrë sa më të përgjegjshme.

Gjykatësi shtoi se ky trup gjykues e ka marrë shumë seriozisht përgjegjësinë e vet për të mbrojtur të drejtat e të akuzuarve dhe të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.