Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Gjakovë, anulohet seanca ndaj drejtorit dhe bashkëpunëtorit në Drejtorinë e Urbanizmit

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional në Drejtorinë e Urbanizmit, Agron Gojani, po akuzohen për korrupsion.

Sot, ishte planifikuar të dëgjoheshin dëshmitarë, mirëpo e seanca është anuluar për shkaqe objektive të kryetarit të trupit gjykues, Mentor Bajraktari.

Ndërsa, për seancën e radhës, gjykata ka njoftuar se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli kishte nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në ‘Kompleksin Orize’ në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i këtij rasti Ramiz Buzhala, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit në Drejtorinë e Urbanizmit, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t`u sjellë dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëme të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli akuzohet se ka keqpërdorur detyrës e tij duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim. I njëjti akuzohet se ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Gjykata e Gjakovës, kishte refuzuar edhe kërkesat për hudhje të aktakuzës.