Foto: Kallxo.com

Gjakovë, drejtori e arkitekti në gjyq për lejen e ndërtimit

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, dolën sot para gjykatës së Gjakovës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë për vepra që ndërlidhen me korrupsion.

Prokuroria pretendon se Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i këtij rasti Ramiz Buzhala, ata u deklaruan të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizëm, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’i sjellë dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim  me Planin Urbanistik, ku sipas projektit nga Kuvendi Komunal ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë e gjelbër.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli akuzohet se ka keqpërdorur detyrën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, kur kishte nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e kishte lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Gjykatësi Mentor Bajraktari u dha kohë palëve që në afat prej 30 ditësh të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe provave të saj.