Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe bashkëpunëtorit profesional në Gjakovë

Gjykatësi Mentor Bajraktari ka refuzuar kërkesat e avokatëve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të saj, në rastin e drejtorit të Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli dhe bashkëpunëtorit profesional në këtë drejtori Agron Gojanit.

Drejtori i urbanizmit Arben Bakalli, bashkë me ish-arkitektin e tashmë bashkëpunëtorin profesional në po këtë drejtori, Agron Gojani, po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra që ndërlidhen me korrupsion.

Prokuroria pretendon se Agron Gojani kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.

Avokatët e dy të akuzuarve, Meshari Selimaj dhe Ergjyment Barballushi, kishin paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala.

Mirëpo, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari, kishte refuzuar kërkesat e tyre si të pabazuara.

Gjykatësi Bajraktari ka vlerësuar se provat në të cilat bazohet aktakuza janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe të njëjtat janë të pranueshme sipas dispozitave ligjore.

Poashtu kundërshtimet e avokatëve sikurse nuk ekziston dashja tek të akuzuarit si element në kryerjen e veprës penale, se vepra penale nuk përkon me kualifikimin ligjor, se nuk është arritur të provohet qëllimi i keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo mundësia e përfitimit të personit tjetër, për të gjitha këto Gjykata ka vlerësuar se të njëjtat do të shqyrtohen veç e veç gjatë shqyrtimit gjyqësorë.

Andaj, kundrejt këtyre kundërshtimeve, gjykatësi Bajraktari duke refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, ka vlerësuar se nuk ka rrethana të cilat përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka parashkrim të ndjekjes penale, amnisti apo falje dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojne dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Në seancën fillestare të mbajtur në fund të muajit korrik, që të dy ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit në Drejtorinë për Urbanizëm, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t`u sjellë dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakija si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit nga Kuvendi Komunal ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë e gjelbër.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli akuzohet se ka keqpërdorur detyrën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, kur kishte nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e kishte lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.