Foto: KALLXO.com

Gjykata merr vendim ndaj dy bujqve të akuzuar për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione

Gjykata e Prishtinës më 13.03.2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Gjon Musollit dhe Halit Berishës, të akuzuar për mashtrim me subvencione.

Gjykatësi Mentor Bajraktari shpalli se Gjon Musolli, i akuzuar për dhënie ryshfeti në vazhdimësi dhe mashtrim me subvencione, është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 4,000 euro gjobë.

Kurse Halit Berisha, i akuzuar për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione, është dënuar me 1 vit burgim dhe 3,000 euro gjobë.

Gjatë paradites është mbajtur seanca për matjen e dënimit.

Aty palët e përfshira në proces dhe zyrtarë nga Shërbimi Korrektues paraqitën propozimet e tyre lidhur me dënimin.

Ardita Lubeniqi, zyrtare nga Shërbimi Sprovues në Pejë, tha se qëndron në tërësi pranë raportit parandëshkues që është bërë për të pandehurin Gjon Musolli, dhe nuk ka çfarë të shtojë më tepër rreth tij.

“Marrë parasysh se është mbajtës i familjes, ka raporte të mira me rrethin dhe familjen, e pranon veprën për të cilën akuzohet dhe ndihet i penduar, ka premtuar që në të ardhmen nuk do ta kryejë një vepër të tillë në konkluzionin e raportit kemi kërkuar që të akuzuarit t’i aplikohet një dënim alternativ: urdhër në dobi të përgjithshme ose dënim me kusht” – tha ndër të tjera Arbenita Lubeniqi nga Shërbimi Sprovues në Pejë.

E fjalën e mori edhe zyrtarja nga Shërbimi Sprovues në Ferizaj, e cila po ashtu tha se qëndron në tërësi pranë raportit parandëshkues të bërë për të pandehurin Halit Berisha.

“I akuzuari ka qenë për 2 muaj në paraburgim dhe 3 muaj në arrest shtëpiak, është mbajtës dhe përgjegjës i familjes dhe pasi i akuzuari merret me bujqësi, investimi do t’i shkojë dëm nëse Gjykata merr vendim me burgim” – argumentoi zyrtarja Florije Rexhepi.

Gjyqtari Valon Kurtaj tha se Gjykata ka nxjerrë të kaluarën kriminale dhe shihet se Gjon Musolli ka një vërejtje gjyqësore të shqiptuar.

Kurse për Halit Berishën nuk ka të dhëna që ka qenë i dënuar për ndonjë vepër më parë.

E prokurori i rastit, Rafet Halimi, tregoi se cilat janë rrethanat lehtësuese për të akuzuarin Gjon Musolli.

“Sa i përket Gjon Musollit rrethana lehtësuese janë: që nga fillimi në procedurë paraprake ka qenë bashkëpunues si në Polici, edhe në Prokurori, dhe që nga fillimi ka pranuar kryerjen e veprës penale, është mbajtës i familjes dhe po ashtu ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me prokuroren e shtetit dhe gëzon statutin e dëshmitarit bashkëpunues” – deklaroi prokurori special.

Më tutje i njëjti foli për rrethanat rënduese ndaj Musollit, duke përmendur vlerën e lartë të ryshfetit e cila u është dhënë zyrtarëve dhe vlera e lartë e përfitimit në mënyrë të kundërligjshme.

“Për të akuzuarin Halit Berisha rrethana lehtësuese janë që i pandehuri që nga fillimi i procedurës penale ka qenë bashkëpunues dhe ka pranuar veprën penale prej ditës së parë, është mbajtës i familjes, ndërsa si rrethanë rënduese është vlera e lartë e ryshfetit dhe vlera e lartë e përfitimit në mënyrë të kundërligjshme” – deklaroi lidhur me të pandehurin tjetër prokurori special Rafet Halimi.

“Këto janë rrethanat që kërkojmë që Gjykata t’i marrë për bazë gjatë caktimit të dënimit” – përfundoi Rafet Halimi.

Më tutje fjalën e mori mbrojtja e Gjon Musollit, avokati Etnik Maloku.

Ai përmendi rrethana të ngjashme lehtësuese me prokurorin.

Tutje ai tha se veprimtaria e bujqësisë përmes së cilës ai e mban familjen ka qenë edhe arsyeja që Musolli ka ndërmarrë veprime inkriminuese me qëllim të ekzistencës së familjes.

“Si rrethanë lehtësuse me peshë mbrojtja e konsideron faktin se Gjoni ka hyrë në një marrëveshje formale me prokurorinë e shtetit me qëllim të deklarimit të tij në drejtim të zbardhjes të së vërtetës në këtë procedurë penale në raport me të pandehurit e tjerë. Si përfundim mbrojtja konsideron se edhe me një dënim më të lehtë se minimumi i posaçëm i veprave penale do të arrihet qëllimi i dënimit e që është rehabilitimi dhe jondëshkimi” – përfundoi avokati.

Gjyqtari Mentor Bajraktari e pyeti të pandehurin nëse ka diçka për të shtuar pas fjalës së avokatit.

“Vetëm që e pranoj fajësinë” – deklaroi Gjon Musolli.

Më tutje fjala i kaloi avokatit të Halit Berishës, Admir Salihut.

“E mbështesim raportin parandëshkues. Rekomandimi i tij do të ishte i pranueshëm për mua dhe të mbrojturin tim. Në rastin konkret pendimi në rastin e klientit tim është real, i vërtetë. I njëjti ka qenë target i zyrtarëve shtetërorë që janë marrë me çështjet e subvencioneve. I mbrojturi im i ka pranu vetëm 5,000 euro, në rastin e parë ka paguar 2,000 euro ryshfet, zyrtarët e kanë joshur të aplikojë por nuk ia kanë dhënë paratë. I mbrojturi im i ka shfrytëzuar paratë për qëllimin të cilin i ka marrrë paratë. Po ashtu është shumë me rëndësi Gjykata ta dijë se kemi bërë marrëveshje me prokurorinë e shtetit dhe si rezultat i kësaj marrëveshjeje konsiderojmë që kemi ndihmuar të zbulohen edhe persona të tjerë që janë të përfshirë” – tha avokati Admir Salihu.

Ai më tej, ndër të tjera, i kërkoi Gjykatës që çështjen e kompensimit të kërkesës pasurore ta udhëzojë në kontest civil, kjo për faktin se edhe në seancë për pranim të fajësisë qartazi prokurori tha që ka persona të tjerë që dyshohen se në shumën prej 14,000 euro i kanë marrë 9,000 euro, dhe kjo, sipas avokatit, do të marrë kohë.

Gjyqtari Mentor Bajraktari kërkoi që edhe i pandehuri Halit Berisha të deklarohet nëse ka diçka për të shtuar.

“Unë burgun e kam përjetu rëndë dhe kam pasoja shumë të rënda prej tij. Nëse dënohem me burgim, nuk besoj që mbetem për diçka” – deklaroi Halit Berisha.

Raportimin paraprak të Kallxo.com rreth këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar këtu.