Gjakovari e pranon se ia dogji sanën vëllait të tij

Engjëll Gjoni, i akuzuar se ka djegur sanën e vëllait të tij, Lush Gjoni, para gjykatës së Gjakovës e ka pranuar fajin.

“Unë jam penduar për veprimin, por kam kërkuar nga vëllai që mos ta punojë tokën kontestuese derisa e njëjta mos të ndahet”, deklaroi Engjëll Gjoni.

Ai tha se e kundërshton vlerën e dëmit prej 400 eurove, duke theksuar se është shumë më e vogël.

Ndërsa mbrojtësi i të dëmtuarit Lush Gjoni, avokati Urim Pozhegu tha se nuk kërkojnë ndjekje penale por për kompenzim dëmi do të shkojnë në kontest civil.

Pas pranimit të fajësisë, gjyqtarja e rastit Ilirjana Hoti, të akuzuarit Engjëll Gjoni ia dha dënimin prej 3 muajsh, me kusht që brenda një vitit të mos kryej vepër tjetër penale.

Prokuroria, Engjëll Gjonin e ngarkonte me veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 2018 në fshatin Novosellë e Epërme të komunës së Gjakovës, i akuzuari Engjëll Gjoni ia djeg barin e thatë (sanën) në livadh, vëllait të tij, Lush Gjoni.

Aktakuza theksonte se kjo djegie i ka kushtuar në dëm prej 400 euro.