Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com
Gjakovë - Shtyhet seanca ndaj ish-punëtorit, i akuzuar për përvetësimin e parave të kompanisë
Gjykimi ndaj Alban Sylafeta, ish-komercialisti i kompanisë mobile IPKO, i akuzuar për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe falsifikimit të dokumentit, u shty për datën 18 shkurt.
Shkak i shtyerjes së kësaj seance ishte vet kërkesa e të akuzuarit, pasi që i njëjti tregoi se nuk e ka pranuar korigjimin e aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës.
Sylafeta fillimisht akuzohej për vepra të ndërlidhura me korrupsion pra për përvetësim të 3,660 euro nga kompania dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, mirëpo më pas prokurori i rastit Ramiz Buzhala e kishte përmirësuar aktakuzën.
Apeli kishte rekomanduar që aktakuza e Prokurorisë së Gjakovës të dërgohet në përmirësim.
Ndërkohë, pasi që aktakuza e prokurorit Ramiz Buzhala është ndryshuar, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari lëndën e ka dërguar në departamentin e përgjithëm dhe e njëjta lëndë i është caktuar gjykatëses Ilirjana Hoti.
Arsyeja e dërgimit të lëndës në këtë department ishte se departamentit për krime të rënda i mungonte kompetenca lëndore.
Në gusht të këtij viti, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari, kishte vendosur që kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe provave të saj ta refuzoj si të pabazuar, ndaj të cilit vendim i akuzuari Alban Sylafeta kishte bërë ankesë në gjykatën e Apelit.
Mirëpo, gjykata e Apelit, rastin e kishte kthyer në rivendosje, duke vlerësuar ankesën pjesërisht të bazuar.
I akuzuari Alban Sylafeta, në ankesën e tij drejtuar Gjykatës së Apelit nuk kishte cekur bazat e ankesës, por i njëjti kishte propozuar që ankesa e tij të aprovohet, e në anën tjetër të hudhet aktakuza dhe të pushohet procedura penale ndaj tij.
Ndërkaq, Apeli kishte vlerësuar se përshkrimi faktik i pikave të aktakuzës, nuk përputhet me veprat penale, pasi që veprimet e të akuzuarit nuk konsistojnë me elementet e veprave penale dhe se nuk konsiderohet si person zyrtar personi që punon brenda personit juridik, por i njëjti mund të konsiderohet si person përgjegjës në kuadër të personit juridik.
Përveq kësaj, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se këto rrethana e bëjnë aktakuzën të jetë përpiluar në kundërshtim me kodin penal të Kosovës dhe se Prokuroria pas nxjerrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim përveq se shkresat e Policisë i’a ka bashkangjitur aktavendimit dhe e kishte ngritur aktakuzën.
Nga të gjitha këto, gjykata e Apelit kishte vlerësuar se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar duke i’a kthyer prokurorit aktakuzën në përmirësim, në mënyrë që më pas të mënjanohen kundërthëniet dhe në fund konform dispozitave ligjore të merret një vendim i drejtë dhe i ligjshëm.
Alban Sylafeta, nuk e kishte pranuar fajësinë, ai kishte thënë që aktakuza e Prokurorisë ka kontradita në vete.
Sipas aktakuzës, së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Alban Sylafeta po akuzohet se në periudhën kohore nga 21 dhjetor 2016 e deri më 28 shtator 2018, në cilësinë e personit zyrtar, të dëmtuarës kompanisë “IPKO”, si dhe klientëve këtu të dëmtuarve, Pashk Gjoni, Leonard Komani, Pren Gjokaj, Mentor Kqiraj, Arnand Kqira, Agim Ademaj, Sadri Hoti, Hysni Bajraj, Riza Selmanaj, AAR Niki-S market, etj. të cilët pagesat vjetore në emër të shërbimeve të internetit nga shuma e mjeteve të pranuara ka deponuar vetëm shumën të paraparë për një muaj shërbim në llogarinë bankare të IPKO-s.
Aktakuza shpjegon se shuma e mbetur ka figuruar si borxh në emër të klientëve, ashtu që i pandehuri të dëmtuarve të lartcekur iu lëshon fatura false duke iu konfirmuar se pagesa për shërbimet e kompanisë është ekzekutuar për një vit, ndërsa shumën tjetër e përvetëson për nevoja personale, me ç’rast klientëve dhe të dëmtuarve iu ndërpritet shërbimi i kërkuar për mos pagesë dhe me këtë klientëve të kompanisë iu ka shkaktuar dëme materiale në shumën prej 3,660 eurosh.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alban Sylfeta, me dije ka përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim që t’i përdor ato në emër të shërbimeve të internetit duke ndërhyrë në faturat të cilat i gjeneron sistemi i kompanisë ku punonte në mënyrë automatike dhe nuk lejohet ndërhyrje në të njëjtat.
Aktakuza thotë se i akuzuari ndërhynë në formën dhe përmbajtjen e këtyre faturave duke ndryshuar përmbajtjen e tyre origjinale dhe duke shënuar përmbajtje të rreme, më pas të njëjtat ua lëshon klientëve të kompanisë në fjalë dhe të dëmtuarve të lartcekur me të cilat ka konfirmuar se kinse pagesa në emër të shërbimeve të internetit është bërë në kohëzgjatje prej një viti në bazë të kontratave të lidhura me kompaninë “IPKO” edhe pse këto pagesa janë bërë vetëm pjesërisht në xhirollogarinë e kompanisë “IPKO” në emër të klientëve.
Mirëpo, pjesa e tjetër e mjeteve nuk janë deponuar në llogarinë bankare të kompanisë në emër të klientëve por janë përvetësuar nga i akuzuari.