Punëtori ra nga 8 metra lartësi, punëdhënësi ballafaqohet me ekspertin e sigurisë në punë

Në gjykimin ndaj Kadrush Rexhepit, pronarit të firmës “Euro Abi”, i akuzuar për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës, është dëgjuar eksperti për siguri në punë, Fehmi Krasniqi.

Kadrush Rexhepi po akuzohet për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Në këtë rast të lëndimit në punë, kishte pësuar i dëmtuari Mentor Ramadani, duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash.

Eksperti Fehmi Krasniqi, tregoi se gjatë kohës së pandemisë kishte filluar të mirrej me këtë çështje, e poashtu kishte dalë edhe në vend të ngjarjes, në kompaninë Jatex, në Gjakovë.

Krasniqi tha se “sajlot nuk kanë qenë adekuate për rripin e sigurisë, por që të njëjtat kanë mundur të lidhen me litarë”.

Ai tha se sa i përket kushteve klimatike për kohën kur ka ndodhur rasti, Instituti Meterologjik nuk kishte të dhëna për Gjakovë, por vetëm për Pejë.

Eksperti Krasniqi, tha se as punëtorët nuk është që kanë pasur ndonjë trajnim, në mënyrë që të dijnë kur ta refuzojë punën, e kur të vazhdojnë të punojnë.

“Ndërmarrjet e reja nuk kanë përvojë në rregullore të rrezikshmërisë në punë dhe se punëtorët mund të jenë laik dhe nuk e kanë ditur se punën mund ta refuzojnë në kushte jo të sigurta”, deklaroi eksperti Fehmi Krasniqi.

Eksperti Krasniqi, tha se po të ishte ai inspektor i punës nuk do të kishte lejuar njerëzit të punonin aty.

Ndërsa, pronari i firmës kishte thënë që pajisjet kanë qenë, por që punëtorët nuk i kanë vendosur.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Dy seanca kishin dështuar të mbaheshin, njëra për shkak të trajnimit të gjyqtarëve e tjetra për shkak të mungesës së të akuzuarit Kadrush Rexhepi.

Kadrush Rexhepi po akuzohet për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas aktakuzës, në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i ka siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Euro Abi”, kishte qenë duke bartur një panel llastër të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.

Firma “Euro Abi” kishte qenë pronë e të akuzuarit Kadrush Rexhepi.

Aktakuza shpjegon se mbulimi i lartësisë së kulmit ka qenë prej 20 metra, me peshë prej 200 kg, gjerësi 70 cm, trashësi 10cm dhe gjatësi mbi 8 metra, ku i dëmtuari Mentor Ramadani pa pajisje mbrojtëse kishte ecur në një hekur në gjerësi prej 50cm dhe pasi ka humbur drejtpeshimin ka rënë në një lartësi prej 8 metra.

Në lidhje me këtë rast, ishte ndëshkuar prokurori Ramiz Buzhala, të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Kallxo.com pas një hulumtimi me shkresë të veqantë kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, për sjelljen e prokurorit Buzhala.

Ky hulumtim është transmetuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në këtë emision ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi në mes të prokurorit dhe një familjari të viktimës Mentor Ramadani nga Ferizaji, i cili është lënduar në vendin e tij të punës.

Gjatë bisedës së tyre, prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimjn se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Pas raportimeve të kallxo.com , ky është prokurori i dytë që po ndëshkohet për shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale.

Pas raportimit të KALLXO.com, prokurorit Rexhep Maqedonci i shqiptohet masë disiplinore