Drejt fundit gjykimi i të akuzuarve për vrasjen e kushëririt për motive pronësore
Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve të komunës së Vitisë, dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë edhe sot në Gjykatën e Gjilanit.
Të akuzuarit për vrasje, sipas Prokurorisë, me mjete të forta e kanë vrarë (mbytur) kushëririn e tyre, Muhamet Ismajlin.
Në seancë u dëgjua eksperti mjekoligjor Valon Hyseni, i cili është përpilues i raportit të autopsisë lidhur me vdekjen e të ndjerit Muhamet Ismajli.
Eksperti mjekoligjor tha se gjatë secilës autopsi kufomës i bëhet edhe fotografimi dhe se ato fotografi i kanë në sistem. Gjithashtu tha se duke e bërë autopsinë kanë hasur në gërvishtje në fytyrë e cila shkon deri në regjionin trurorë të anës së djathtë të kokës.
“Vdekja e dhunshme e të ndjerit ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes masive në kokë, saktësisht mes cipave mbështetëse të trurit si pasojë e thyrjes së kockave të kafkës. Këto dëmtime me besueshmëri janë shkaktuar nga mjeti jo i preht-topitur”, tha eksperti Hyseni.
Gjithashtu Valon Hyseni tha se është shumë e vështirë që të përcaktohet numri i saktë i goditjeve në rastet kur kemi të bëjmë me kacafytje mes personave të përfshirë në përleshje.
Pasi avokati Ymer Huruglica, tha se i mbrojturi i tij ka nevojë të konsultohet akoma lidhur me mbrojtjen e tij, seanca e sotme u shtye për 01 dhjetor 2021.
Kujtojmë se të akuzuarit për këtë rast gjenden në masën e paraburgimit prej kohës kur edhe sipas Prokurorisë ka ndodhur vrasja, pra nga muaji maj i vitit 2019.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.
Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.
Kujtojmë se këtë rast ka qenë duke e gjykuar gjykatësi tjetër Zyhdi Haziri, kurse pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit, tani rasti gjykohet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sabedin Mushica.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë këtë rast: