Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Fajde, rrëmbim, drogë - Dyshimet e para për 21 vjeçarin A. O.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 21 vjeqarit të dyshuar për rrëmbim.

Sipas prokurorisë A. O. dyshohet se ka kryer disa vepra penale.

“I njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajdeja”, nga neni 331 të KPRK-së, “Rrëmbimi” nga neni 191 të KPRK-së dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë veprime konkrete hetimore për rastin në fjalë.

“Është urdhëruar masa e kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit të lartcekur, me dyshimin se në këtë objekt i njëjti ka mbajtur të rrëmbyer viktimën, ashtu që me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është bastisur objekti në fjalë dhe është sekuestruar një sasi e substancës narkotike, para në vlerë mbi 12,000  (dymbëdhjetë mijë euro), të cilat dyshohet se janë përfituar me anë të kryerjes së veprës penale, si dhe gjësende të tjera të cilat do të përdoren në procedurë të mëtejme penale”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari, nga data 30 gusht 2021 ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa prokurori i çështjes në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të rrethanave rreth këtij rasti.

Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 21-vjeçarin, i cili dyshohet për rrëmbim, fajde si dhe blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotropike dhe analoge.

Pas arrestimit, Policia në Prishtinë ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit A.O, ku dyshohej se ishte duke u mbajtur viktima e rrëmbyer.

Policia arreston 21-vjeçarin e dyshuar për rrëmbim, në shtëpi gjen kokainë dhe 12 mijë euro