Prokuroria, Foto: KALLXO.com

Dyshohet se ngacmoi gazetaren për 4 vjet rresht, Prokuroria i ngrit aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për veprën penale “ngacmimi” që dyshohet ta ketë bërë ndaj një gazetareje në një periudhë katër vjeçare.

Aktakuza thotë se i pandehuri R. Xh. nga viti 2019 deri më 30 tetor 2023 përmes përcjelljes dhe thirrjeve të vazhdueshme telefonike, në vazhdimësi, është përfshirë në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, si dhe duke e vënë gazetaren E. D. nën vëzhgim”.

“Gjithashtu, i pandehuri i ka shkruar të dëmtuarës në rrjetin social “Facebook”, gjatë kohës së transmetimit të edicionit special të ditëlindjes së “RTVD” dhe është inkuadruar live në emision përmes telefonit, e po ashtu i pandehuri ka shkuar në vendin e punës së të dëmtuarës, ku me këto veprime e ka vënë nën frikë të arsyeshme dhe i ka shkaktuar shqetësim të madh emocional” – thuhet në aktakuzë.

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.