Prokuroria jep detaje për arrestimin e të dyshuarit të katërt për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt
Një person është arrestuar sot gjatë ditës si i dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
I njëjti po dyshohet për veprën penale – importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Ju konfirmojmë se me urdhër te prokurorit te rastit është ndaluar i dyshuari i katërt ne rastin e vrasjes se rendë, për shkak të veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse”, sipas KPRK-së” – ka thënë zëdhënësja.
Ajo ka thënë se brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të dyshuarit.
KALLXO.com ka mësuar se personi që është arrestuar dyshohet që e ka shitur armën më të cilën është kryer vrasja e Liridona Ademajt.
KALLXO.com ka mësuar se i dyshuari është T.D. i lindur më 1974.
Lidhur me rastin deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli.
Raportimet e KALLXO.com – LINK