Deshmitari i 39-te i Prokurorise

Dëshmitari në Hagë: Armët dhe pistoleta nuk kanë qenë të mijat, nuk kam qenë në dijeni se kanë qenë në traktor

Dejan Jeftiq ka vazhduar ballafaqimin me deklarimet e tij të dhëna para Prokurorisë së Specializuar, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ky dëshmitar është duke u marrë në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Gregory Keohe, dhe ai po dëshmon në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit në dhjetor të vitit të kaluar, dëshmitari ka pretenduar se në korrik 1998 u arrestua nga shqiptarë të armatosur, disa prej të cilëve kishin uniforma të zeza dhe më pas u dërgua në Budakovë.

Dëshmitari deklaroi se armët dhe pistoleta të cilat ishin gjetur në traktorin ku ai ishte nuk kishin qenë të tij, dhe nuk ishte në dijeni se ato armë ishin në traktorin ku ishte dëshmitari.

Ky dëshmitar, në dhjetor të vitit të kaluar ishte përballur me deklaratën e tij ku ushtarët e UÇK-së i kishte përshkruar si “terroristë”.

Jeftiq është nga zona e Suharekës.

Dëshmitari kishte deklaruar se gjatë luftës, më 4 korrik 1998, në fshatin Stravuçinë, kishin parë një grup ushtarësh të UÇK-së dhe ishin sulmuar.

“Në këtë moment, Bajram Morina kur na pa që po ecnim në atë drejtim na tha se çfarë ka ndodhur, unë iu përgjigja në shqip ‘duhet të shpëtojmë gratë dhe fëmijët që janë atje poshtë’ sepse ishte edhe koha që korreshin kulturat bujqësore dhe në atë moment çfarë ndodhi, filluan të na gjuanin me armë” – kishte deklaruar dëshmitari në seancën e 11 dhjetorit të vitit të kaluar.

Por avokati Keohe kishte cituar deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në, kur i tha atij se grupin e Bajram Morinës i kishte quajtur ‘terroristë’.

Kehoe: Ju patë këta anëtarë të UÇK-së, dhe i përshkruani si terroristë?

“Jo tamam terroristë, nuk e di ju si e keni kuptuar konceptin e terrorizmit. Disa prej tyre ishin me uniforma, disa të tjerë ishin me rroba civile, por kishin armë”- kishte deklaruar dëshmitari.

Dëshmitari kishte sqaruar se termin ‘terrorist’ ndaj grupit të Bajram Morinës mund ta kishte thënë pa dashje.

“Mbase e kam thënë pa dashje, jo se doja t’i ofendoja. Mbase e kam thënë pa dashje fjalën ‘terroristë’. E kam thënë pa dashje dhe nuk kam dashur të ofendojë askënd”- kishte pohuar Jeftiq.

Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit, në korrik 1998, dëshmitari  ka pretenduar se u arrestua nga shqiptarë të armatosur, disa prej të cilëve kishin uniforma të zeza dhe më pas u dërgua në Budakovë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.