Avokati Rees: Gucati duhet të shpallet i pafajshëm

Në Dhomat e Specializuara të Hagës, gjatë ditës së sotme po vazhdon të jepet dhënia e deklaratave përfundimtare nga ana e mbrojtjes në rastin e ish krerëve të OVL- UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Në fjalën përfundimtare avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka kërkuar që në mungesë të provave të pranueshme Gucati të shpallet i pafajshëm.

“Masa ligjore të cilën e propozojmë është që ZPS-ja të pranojë që ky gjykim të ndalohet. Të pushohet ky gjykim, për këtë arsye ne kërkojmë që të gjitha vendimet të jenë për vendime pafajësie”, ka deklaruar avokati.

Rees ka shprehur qëndrimet e tij se ZPS nuk ka zbardhur rrethanat në të cilat dokumentet e paketës së tretë kanë rrjedhur nga ZPS-ja dhe janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së.

Lidhur me këtë, avokati Rees ka hedhur dyshime se dikush nga ZPS-ja mund t’i ketë dhënë dosjen personit të jashtëm.

“Duke pasur parasysh natyrën e dokumentit dhe qasjen e tij, pra nuk përjashtojmë dot mundësinë që dikush nga ZPS-ja që kishte qasje në këtë dokument të mund t’ia ketë dhënë në mënyrë të qëllimshme një pale të jashtme atë. Shkalla e hetimit të kryer nga ky organ është e paqartë”, ka shtuar avokati.

Tutje avokati ka sqaruar se Specialja pas publikimit të dokumenteve nuk kishte kërkuar nga mediat që të largojnë nga publikimi materialet e dosjeve të botuara.

“Ka kopje të dokumentacionit që janë ende të botuara në internet, nuk kanë kërkuar që të hiqen këto informacione apo nuk kanë dërguar asnjë lloj urdhri ZPS apo kërkesë te faqet e internetit për të hequr këtë informacion. Ata kanë shprehur pak interes ose aspak interes apo pak ose aspak shqetësim për ta analizuar nëse ky material që i është vënë në dispozicion OVL-UÇK-së, pastaj shtypit, dhe ne nuk kemi parë asnjë hollësi për të bërë një lloj vlerësimi nëse ZPS ka bërë ndonjë përpjekje apo jo”, ka thënë Rees.

Avokati tutje ka deklaruar se nuk ka prova të pranueshme të cilat tregojnë se Gucati ka penguar punën e ZPS-në.

Sipas avokatit, prokuroria nuk kishte arritur të vërtetonte se dosjet nuk përmbajnë asnjë provë të parregullsisë që do të mund të ndikonte në hetimet dhe integritetin e ZPS-së.

“ZPS-ja nuk ka treguar asnjë provë të nderuar gjykatës. Prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm që nuk ka prova të veprimeve të parregullta në këtë drejtim. Ata do të mund ta bënin këtë vetëm nëse do t’iu tregonin juve të nderuar gjykatës përmbajtjen e ndërveprimeve që kanë bërë ata, dhe jo vetëm kërkesat për asistencë që u kanë drejtuar autoriteteve serbe”, ka shtuar avokati.
Në vijim të gjykimit, avokati ka shtjelluar edhe pikat e tjera të aktakuzës ku ka sqaruar se synimi Gucatit ishte për të zbuluar nivelin e bashkëpunimin mes ZPS-së dhe Serbisë.

“Prokuroria nuk ka vërtetuar që të akuzuarit janë drejtuar për të bindur ca persona që të mos bëjnë deklarata për DhSK-në dhe për të dhënë informacione apo hetime në të ardhmen. Përfundimi që mund të nxirret është ndryshe nga kjo që sapo u tha, dhe siç e thamë në mënyrë të përsëritur, synimi i të akuzuarit ishte thjesht për të ekspozuar nivelin e bashkëpunimit ndërmjet ZPS-së dhe Serbisë dhe që ZPS, siç e thotë i akuzuari, është e njëanshme”, ka deklaruar Rees.

Tutje mbrojtësi ka sqaruar edhe pikën tjetër të aktakuzës e cila ndërlidhet me pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, ku sipas avokatit, nuk ka asnjë provë që mbështesin këtë pohim.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator të vitit 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, “gënjeshtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.