Foto: KALLXO.com

Arsyet pse gjykata e konsideroi të ligjshëm procesin e noterëve

Procesi i shumëpërfolur i noterëve është gjykuar përfundimisht nga Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë.

Ky proces u konsiderua i ligjshëm nga gjykata e cila vendosi që ta prishë vendimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila e kishte anuluar procesin për noter.

Procesi i dhënies së provimit për noter ishte anuluar në muajin e parë të qeverisë Kurti nga ministrja Albulena Haxhiu.

Vendimi për anulim ishte nxjerr për shkak të dyshimeve për parregullsi pasi pjesë e procesit ishte konsideruar se kishin qenë militantë politik, anëtarë dhe familjarë të njerëzve në pushtet.

“Unë si ministre e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces me parregullsi dhe me humbje të besimit ku personat që i janë nënshtruar këtij procesi janë militant, anëtarë dhe familjarë të njerëzve dhe nuk mund të shtyjë përpara  një proces të tillë pasi siç e dini është duke u hetuar edhe nga prokuroria”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Mirëpo pretendimet e ministrisë nuk janë aprovuar Gjykata e Prishtinës e cila konsideroj se procesi ishte i rregullt dhe nuk kishte arsye për anulim.

“Gjykata nuk gjenë prova se Komisioni për dhënien e provimit të noterisë ka cenuar parimin e ligjshmërisë pasi me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision i ka tejkaluar kufijtë ligjor”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, Ministria ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike dhe gabimisht e ka zbatuar ligjin kur e ka anuluar procesin e noterëve.

Po ashtu gjykata thekson se Ministria në vendimin për anulim nuk ka arritur ta argumentojë me asnjë provë bazën ligjore me të cilën e ka anuluar procesin.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik, pasi kishte dyshime për konflikt interesi.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK kishte dalë me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.

KALLXO.com kishte raportuar se në mesin e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim ishte edhe Gentiana Bajraktari, vjehrri i të cilës, Nehat Idrizi, kryetar i komisionit të Noterisë, i kishte përpiluar pyetjet.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë