Pal Lekaj inspekton punimet në autostradë - Foto: Facebook/PalLekaj

Afera e 53-milionëshit, Pal Lekaj dhe të tjerët nesër para drejtësisë

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pritet të ulet sërish në bankën e të akuzuarit.

Kësaj radhe Lekaj pritet të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale për njërën nga aferat më të mëdha korruptive e cila pretendohet të ketë ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

Fjala është për 53-milionëshin, të cilin Ministria e cila udhëhiqej nga Lekaj, ia kishte dhënë kompanisë “Bechtel- Enka” në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.

Javë më parë KALLXO.com raportoi për neglizhencën e Gjykatës për ta caktuar me kohë nisjen e këtij procesi gjyqësor.

Gjykata tejkaloi afatin në rastin e ’53 milionëshit’

www.kallxo.com