Foto: KALLXO.com

Afera e 53-milionëshit, Pal Lekaj përfundon dhënien e mbrojtjes

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes në rastin ku ai akuzohet lidhur me ekzekutimin e pagesës prej 53 milionë eurosh për kompaninë “Bechtel-Enka” lidhur me afatin për zgjatjen e përfundimit të punimeve.

Lekaj kishte filluar dhënien e mbrojtjes në seancën e 5 dhjetorit të këtij viti dhe sot e përfundoi, pasi u përgjigj në pyetjet e prokurorit Atdhe Dema dhe trupit gjykues.

Kështu, radha është që tre të akuzuarit e tjerë Nebih Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahiri të japin mbrojtjen.

Lekaj  u pyet nga prokurori Dema se cila ishte nevoja për të nënshkruar një tjetër marrëveshje (duke qenë në dijeni se ka ekzistuar një marrëveshje paraprake} me kompaninë në fjalë, marrëveshje e re e cila ishte pa kosto financiare, bëhej fjalë për periudhën e njëjtë kohore dhe flitej për të njëjtat instanca në implementim.

I akuzuari Pal Lekaj u përgjigj se marrëveshja e re e cila ishte nënshkruar pa kosto ka qenë vetëm për zgjatjen e afatit të punimeve por jo edhe për pjesën e post-benefitiumit.

“Marrëveshja ka qenë për zgjatje të afatit të përfundimit të punimeve por jo për post-benefitet”- u përgjigj Lekaj.

Pal Lekaj vazhdoi tutje se nuk do të ishte i çmendur të lidhte kontratë për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në rast se nuk do të kërcënoheshin me Arbitrazh.

“Unë po e shpjegoj që sikur të ish dakorduar, sikur që të ish dakorduar dhe sikur te mos na kishin informuar se do të na padisë në Arbitrazh, atëherë mendoj që nuk jam kanë i çmendur të nënshkruaj dhe apriori them që duhet me pritë që me pasë pare tjera me pagu, mendoj që është vepruar drejt, është vepruar që ta mbroj buxhetin e Kosovës sepse sot rruga nuk do të ishte kryer” – tha Lekaj

Lekaj në lidhje me opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” tha se nuk ka qenë e detyrueshme për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria nuk i është detyruar kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill International’”- shtoi ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, kërkoi sqarim lidhur me opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” dhe kërkoi nga i akuzuari të përgjigjet nëse të akuzuarit e kishin shmangur të njëjtin opinon.

“’Hill’ ka dhanë opinonin në kohën e Lutfi Zharkut dhe e ka dhanë opinionin që të paguhet shuma për zgjatjen e afatit të kontratës 14 milionë e 778 mijë euro”- u përgjigj Lekaj.

Por e pakënaqur me përgjigjen e të akuzuarit ishte gjyqtarja Namani, e cila insistoi në një përgjigje në pyetjen pasuese: “Pse në rastin e juaj nuk u mor një opinion prej ‘Hill’-it por u lidh marrëveshja?”.

Lekaj u përgjigj duke thënë se “Hill”-i e ka dhanë një opinon për Zharkun.

Namani përsëri kërkoi përgjigje në pyetjen e saj se pse nuk kishte kërkuar Lekaj (i akuzuari) opinion prej kompanisë “Hill International” për lidhjen e marrëveshjes prej 53 milionë euro.

“E kemi kërkuar dhe e kemi diskutuar dhe nëse opinioni ka qenë i drejtë pse nuk u finalizua marrëveshja?”- u përgjigj Lekaj.

Lekaj sot përfundoi dhënien e mbrojtjes, ndërsa pas tij radha i erdhi të pandehurit Nebih Shatri, i cili filloi dhënien e mbrojtjes por që me kërkesën e palëve seanca u ndërpre për të vazhduar me 9 dhe 10 janar të vitit të ardhshëm.

Kujtojmë që Pal Lekaj në seancën e 5 dhjetorit kishte filluar me dhënien e mbrojtjes, duke u deklaruar se do të përgjigjet në të gjitha pyetjet e palëve në procedurë, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe Gjykatën.

Kujtojmë që sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 mijë euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel-Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.