Ilustrim

Lëmshi në Tenderin e Ujësjellësit në Dragash

Pas shumë shkeljeve Ligjore që Komuna e Dragashit i kishte bërë në përzgjedhjen e kompanisë për projektin e ujësjellësit, kësaj radhe ka zgjedhur një grup të operatorëve për t’ua dhënë kontratën për këtë projekt. Por, sërish dy kompani janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve. Operatori “Fanaj Inxhiniering” dhe operatori tjetër “Puna” janë ankuar në javën e fundit të muajit qershor në OSHP.

Pas disa anulimeve, Komuna e Dragashit e kishte publikuar njoftimin për dhënie të Kontratës. Për dhënien e kontratës për “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve (Projekt tre vjeçar)”, është rekomanduar grupit të Operatorëve Ekonomik: N.N.P.”EBK”, NNTPP “Gashi Ing “, “VODOSKOK D.D.” DEGA NË KOSOVË, “Muratori” SH.P.K. me çmimin vlera më e ulët 1.087.442,62 euro.

Me datën 8 qershor, është dhënë kontrata, ndërsa, data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës është 22 qershor 2018. Për shkak të ankesave në OSHP edhe ky nënshkrim do të prolongohet.

Gazeta Jeta në Kosovë, vazhdimisht e ka përcjellë tenderin për ujësjellësin në Komunën e Dragashit.

Në nëntor të vitit 2017, Gazeta Jeta në Kosovë, kishte shkruar se Komuna e Dragashit për disa herë me radhë është dashur ta mbrojë vendimin e saj para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Në dy tenderë të ndryshëm, por për punën e njëjtë, Komuna e Dragashit ka bërë shkelje ligjore duke e zvarritur zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. 

Në shkurt të vitit 2018, gazeta ka shkruar se tenderi për shtrimin e ujësjellësit në Komunën e Dragashit është kthyer në rivlerësim dhe se i njëjti disa herë është anuluar për shkak të shkeljeve të përsëritura ligjore që janë bërë nga Komuna e Dragashit.

Edhe në maj të këtij viti gazeta ka shkruar se Komuna e Dragashit, nuk ka mundur ta përfundoj procedurën e tenderimit për shtrimin e ujësjellësit.

Që nga qershori i vitit 2017,  ka filluar procedura e prokurimin për këtë tender dhe tri herë OSHP ka marr vendim për anulim të dhënies së kontratës.