Ilustrim
Zyrtarja e Qendrës së Studentëve denoncon se u sulmua nga ish drejtori, Sfishta e mohon
G. V., Zyrtare për Barazi Gjinore në Qendrën e Studentëve, ka raportuar se ish-drejtori i kësaj Qendre, Fatmir Sfishta e ka kanosur atë.
KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Zyrtarja për Barazi Gjinore në Qendrën e Studentëve, mirëpo ajo vetëm e ka pohuar rastin dhe nuk ka pranuar që të jap më tepër detaje për këtë çështje.
“Ka ndodhë, ka ndodhë, e vërtetë është, kam qenë e sulmuar, më ka sha, më ka kërcënu, më ka sulmu”- ka thënë ajo.
“Unë krejt çka kam pasë me thonë i kam thonë edhe lirisht shkoni te organet kompetente, rasti është i lajmëruar edhe mos më shqetësoni më se jam lodhë”- është shprehur ajo.
Në anën tjetër, ish drejtori i Qendrës së Studentëve ka thënë se ka qenë G. V. ajo që ka shkuar në shtëpinë e Sfishtës dhe e ka provokuar gruan e tij.
“Zyrtarja në fjalë ka ardhë te shtëpia ime dhe e ka provokuar gruan time në format e saj, edhe ajo (zyrtarja) e ka denoncu, unë kam dalë e kam marrë gruan time te shtëpia ime e kam fut në veturë, ajo ka shku e ka denoncu rastin”- ka thënë Sfishta.
Sipas Sfishtës, Policia i ka marrë kamerat në shtëpinë e tij për t’i parë incizimet.
“Ky është rast krejt i inskenum prej saj e prej dikujt, nuk është e imja me ardhë në përfundim mirëpo, rastin e kanë marrë, kam shku kam dhënë deklaratë në polici, kanë ardhë i kanë marrë kamerat, incizimet në shtëpi, e kanë parë që nuk qëndron ajo që ka thënë…”- është shprehur ai.
Sipas tij, kjo zyrtare kur ka shkuar para shtëpisë së Sfishtës e ka përmendur edhe shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të QS-së.
“Unë veç i kam thonë kurrë mos hajde te shtëpia ime me ma provoku familjen. I ka thonë gruas time “Qysh po të doket që e ka heqë prej pune burrin tënd Vetëvendosja””- pretendon Sfishta.
Ai shprehet se nuk ka pasur probleme mes tij dhe kësaj zyrtareje në të kaluarën.
“S’e di, s’e di, kurrëfarë mosmarrëveshje. Ajo zyrtarja ka ardhë në punë kur unë kam qenë drejtor aty, është avancu prej kur kam qenë unë drejtor aty. Dmth nuk kam pasë kurrfarë problemi me të, hiç absolut kurrë, se nuk kam pasur arsye me pasë problem, por ajo ka ardhë te shtëpia ime, nuk kam shkuar unë, as nuk jemi taku rastësisht”- është shprehur Sfishta.
“Fati është që kam pasë incizime, se qysh ka denoncu e ka akuzu kjo, ka qenë më rëndë”- ka shtuar ai.
Zëdhënësja Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se policia ka pranuar një denoncim për sulm dhe se është duke e trajtuar rastin.
“Rasti sulm ndaj personit zyrtar është duke u trajtuar nga policia”- ka thënë Ahmeti.
Raportimet e KALLXO për rastin e shkarkimit të tashmë ish-drejtorit Fatmir Sfishta – LINK