Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtari i lartë në RTK heq dorë nga dëmshpërblimi prej 21 mijë eurove, që i kërkonte nga mediumi publik përmes gjyqit

Arsim Halili, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Radiotelevizionin e Kosovës, ka hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar prej 21 mijë eurove, që i kishte kërkuar në proces gjyqësor kundër  RTK-së, të fituar në shkallën e parë në vitin 2019.

Përmes një njoftimi, Halili theksoi se kompensimi financiar nuk ka qenë qëllimi i tij, por vendosja e drejtësisë.

Halili përmes një shkrese drejtuar edhe U.D. drejtorit të përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj thekson se ndihet optimist për zhvillimet e fundit në televizionin publik.

Ai potencon se marr parasysh gjendjen e rëndë financiare të televizionit dhe faktit që është në pozitë menaxheriale e ka parë të nevojshëm këtë hap për të  hequr dorë nga dëmshpërblimi.

Në vitin 2016 Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook.

Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) më 1 korrik 2016 kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.

Rasti i degradimit të Halilit në pozitë ishte në Gjykatën e Apelit kur Shkumbin Ahmetxhekaj, si u.d. drejtor gjeneral vendosi ta tërheq ankesën që e kishte bërë menaxhmenti paraprak i RTK-së ndaj Halilit.

Kjo nënkuptonte që Halili do të kthehej në pozitën që ka qenë dhe RTK do duhej të dëmtohej mbi 21 mijë euro në kompensime financiare të pagave së Halilit ende pa përfunduar procesi gjyqësor në tërësi.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të zotit Halili:

“Në vitin 2019 e kam fituar një kontest gjyqësor kundër RTK-së pas një vendimi arbitrar dhe kundërligjor të suspendimit dhe degradimit 6 shkallësh nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala. Në fund të kësaj beteje disavjeçare, Gjykata kishte vendosur në favorin tim. Deri në këtë fazë, aktgjykimi parasheh dëmshpërblim financiar prej 21 mijë eurosh në total.

Kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete për mua, krahasuar me betejën time konsistente për vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e ligjshmërisë në RTK. Duke qenë kështu, ju njoftoj se kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga ky kompensim.

Përkushtimi im për një RTK në shërbim të publikut, do të vazhdojë njejtë  edhe në tê ardhmen. 

RTK-ja ka filluar një fazë të re të zhvillimit dhe konsolidimit, për të cilën kemi kontribuuar dhe sakrifikuar prej vitesh. Jam i lumtur dhe shumë optimist për përfundimin e epokës së degradimit të RTK-së.

Në vijim emaili zyrtar të cilin ia kam dërguar U.D. Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

I nderuari U.D. Drejtor i Përgjithshëm z.Ahmetxhekaj!

Përmes këtij e-maili dëshiroj që vullnetarisht të shpreh gatishmërinë për të hequr dorë nga kompensimi financiar i diferencave të pagës, pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 28.01.2022 për zbatimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 02.04.2019 me numër reference 1470/19 dhe të konfirmuar pas marrëveshjes, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me numër 1282/22, dt. 06.04.2022.

E vlerësoj lart gatishmërinë dhe vullnetin tuaj për korrigjimin e padrejtësisë rreth 6- vjeçare dhe zbatimin e plotë të ligjshmërisë së konfirmuar me vendim gjykate ashtu sikurse konsideratën e vlerësimin tuaj profesional për ta dhënë kontributin për ngritjen dhe avancimin e Transmetuesit Publik.

Megjithatë, marr parasysh gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballet RTK-ja si pasojë e keqmenaxhimit në të kaluarën, borxheve milionëshe të trashëguara dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga përmbarusit, e duke qenë vet në pozitë menaxheriale vendimmarrëse e shoh si hap të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të reflektuar karshi situatës financiare dhe për të hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar prej rreth 21 mijë eurosh përfshirë (kontributet pensionale, tatimin në paga shpenzimet e procedurës dhe kamatën ligjore prej 8 përqind).

Dëshiroj që të shpreh vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar kontributin për zhvillimin e Transmetuesit Publik”.

 

(Ky artikull është edituar në titull, i cili fillimisht thoshte se 21 mijë euro janë fituar përmes gjyqit, por  lidhur me këtë nuk ka pasur vendim të prerë të Gjykatës sepse rasti ka qenë në fazën e ankimimit. Tekstit i janë shtuar edhe 5 paragrafe, të cilat tregojnë historikun e këtij rasti se pse ka qenë Halili në gjyq me RTK-në)