Ilustrim

Zëvendëskryeministri në detyrë Bislimi ftohet nga Prokuroria Speciale për rastin e Fabrikës së mbetjeve shtazore

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë Besnik Bislimi është ftuar sot në intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Fabrikës së nënprodukteve shtazore.

Emri i Besnik Bislimit ishte përmendur në një intervistë për “KallxoPërnime” nga ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga vetë zëvendëskryeministri Bislimi, por i njëjti deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka kthyer përgjigje lidhur me ftesën nga Prokuroria Speciale.

Peci në janar të këtij viti kishte nënshkruar një Kontratë për qira të Fabrikës, që kushtoi rreth 7,000,000 euro – investim nga Bashkimi Evropian dhe shteti i Kosovës. Kontrata ishte dhënë në kohëzgjatje prej 20 vjetësh për Kompaninë “LIP KS & IT”.

“Më ka ftua në zyrë dy herë për këtë temë. Edhe bashkë me stafin që merret me vlerësimin e mekanizmave evropianë. Dhe, e ka ngritë shqetësimin që nuk mundemi me vazhdu me lanë Kosovën në pikën ku ne vazhdojmë me pas një prej vërejtjeve kryesore: mosfunksionalizmin e Fabrikës. Më ka thirrë për herë të dytë. Kam shku bashkë me Kryeshefin. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë nuk është e rëndësishme sa ka me pasë kosto financiare. E rëndësishme është me i trajtu mbetjet shtazore.” – deklaronte ministri Peci, më 16.05.2025.

“KallxoPërnime” ka raportuar në vazhdimësi për Fabrikën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.

Një hulumtim i fundit, i publikuar në dy vazhdime, shpërfaqi pronësinë e Kompanisë që fitoi Kontratën nga Ministria e Bujqësisë.

Siç zbuloi hulumtimi i “KallxoPërnime” vëllai i Besnik Bislimit, Florin Bislimi kishte punuar në Kompaninë “Kosova e Re”, që para se të hynte në procesin e falimentimit ishte në pronësi të një biznesi me emrin “Fitorja”. Hulumtimi zbardhi detaje se Drejtor menaxhues në këtë biznes ishte Naser Maloku, i cili ka 40% të aksioneve në Kompaninë që fitoi Kontratën, që e nënshkroi për 20 vjet ministri Faton Peci.

Pas hulumtimit të “KallxoPernime” Prokuroria Speciale e Kosovës kishte nisur hetimet mbi Kontratën për Fabrikën e mbetjeve shtazore.

Më 27.05.2025 ishin kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme – duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale kishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit edhe ministrin Faton Peci.

Pjesa e parë e hulumtimit u publikua më 16.05.2025 dhe mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Pjesa e dytë e hulumtimit u publikua më 25.05.2025 dhe mund ta lexoni duke klikuar këtu.