ZRrE thotë se ka ulur tarifat e energjisë elektrike për 2024
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) përmes një komunikate për media ka thënë se ka ulur tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundor.
Sipas njoftimit, ulja e tarifave është 8% për konsumatorët familjarë për bllokun me konsum mbi 800kWh dhe 3% për konsumatorët komercial dhe industrial.
“Rënia e çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë ka ndikuar në kostot me shumicë të energjisë elektrike në Kosovë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, kostot e furnizimit me energji elektrike nga importi për konsumatorët fundor për vitin 2024 parashihen të jenë më të ulëta në krahasim me vitet e paraprake” – thuhet në njoftimin e ZRrE-së.
Konsumatorët fundor janë të gjithë qytetarët që furnizohen me rrymë nga kompania KEDS/KESCO.
Po ashtu, në komunikatë bëhet e ditur se bordi i ZRrE-së ka aprovuar edhe tarifat për vitin tarifor 2024 për KOSTT-in dhe KEDS-in.
“Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar rezultatet e fituara nga vlerësimi i koncentrimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë përmes indeksit HHI (Herfindahl–Hirschman Index) për vitin 2023, i cili tregon qartë se kemi të bëjmë me një përqendrim të lartë në tregun e energjisë elektrike, nga ku shihet mungesa e furnizuesve aktiv. Bazuar në rezultatet e këtij raporti, Bordi ka vendosur që Obligimi i Shërbimit Universal për dy vitet e ardhshme t’i ngarkohet KESCO-s” – thuhet në fund të komunikatës.
Herën e fundit kur ZRrE kishte miratuar tarifat, kishte qenë në mars të vitit 2023, ku edhe ishin shtrenjtuar ato për 15%.