Nis procesi i blerjes së objekteve të ambasadave të Kosovës në Uashington dhe Londër

Qeveria e Kosovës, sot ka marrë vendim për të filluar procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Uashington DC në SHBA dhe në Londër në Mbretërinë e Bashkuar.

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se për këtë blerje shuma e aprovuar është mbi 8 milionë.

“Ky propozim bëhet duke u bazuar në ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 dhe planit të shpenzimeve, përmes të cilit është aprovuar shuma mbi 8 milionë. Miratimi i këtij propozimi do t’i hap rrugë fillimit të procedurave të blerjes”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja Gërvalla ka thënë se blerja e objekteve për këto dy ambasada do të bëhet këtë vit.

“Jemi përcaktuar fillimisht për dy objekte për shkak se ato mendojmë që mund ti mbulojmë me shumën e caktuar në buxhetin e këtij viti. Një plan më i detajuar se kur dhe si do të bëhet blerja e objekteve do të vie së shpejti nga MPJD”, tha ajo në konferencën pas mbledhjes së qeverisë.

Shefja e diplomacisë nuk dha informacione nëse do të blihen objekte për ambasada edhe në ndonjë vend tjetër.

Sot nuk  jam në gjendje të flas për shtete të tjera, kemi kërkesa, kemi oferta do të përqendrohemi në ato që mund ti mbulojmë me buxhet dhe në ato ku konsiderojmë që Kosova ka shkuar për të qëndruar përgjithmonë dhe nuk janë misione të përkohshme” , theksoi ajo.

Në buxhetin për vitin 2022 për ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është paraparë shuma 8 milion e 927 mijë e 721 euro për blerje të objekteve të ambasadave në këtë vit fiskal.