ZKA: MKRS pagoi mbi 87 mijë euro për shpenzime procedurale gjyqësore dhe për kamata gjatë vitit 2022

Mbi 250 mijë euro ka paguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë vitit 2022 bazuar në vendime gjyqësore përmbarimore.

Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të kësaj Ministrie. Prej tyre, 87,432 euro ishin për shpenzimet procedurale dhe kamata.

Sipas ZKA-së, krejt kjo ka ndodhur për shkak të  planifikimi jo të mirë nga MKRS për kryerjen e obligimeve sipas afateve të përcaktuara.

Auditorët kanë gjetur se në 7 mostra në vlerë totale prej 78,451 euro, MKRS kishte vonesa në pagesa nga 63 ditë deri në 3 vite, po ashtu dy prej faturave ishin të paprotokolluara.

“Vlen të ceket se për vitin 2022, ministria ka kryer shpenzime në vlerë prej 255,130 euro bazuar në vendime gjyqësore-përmbarimore. Prej tyre 167,698 euro ishin për borxhin kryesor ndërsa 87,432 euro për shpenzimet procedurale dhe kamata”- thuhet në raportin e ZKA-së për MKRS-së për 2022.

Me këto gjetje është pajtuar MKRS-ja.

ZKA thotë se vonesat në raportim dhe mospërfshirja e obligimeve në raportet për obligimet e papaguara ka ndodhur pasi MKRS nuk ka zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm me rastin e pranimit dhe pagesës së faturave. Pasi, sipas ZKA-së, faturat e pranuara nuk protokollohen dhe nuk evidentohen në librin e faturave me kohë.

“Vonesat në pagesa ndaj furnitorëve, mos protokollimi i faturave me kohë si dhe mos evidentimi i tyre në librin e faturave rrisin rrezikun që në periudhat e ardhshme Ministria të ballafaqohet me padi gjyqësore/përmbarimore të cilat njëherësh rezultojnë me shpenzime shtesë duke e rënduar buxhetin e ministrisë”- thuhet në raportin e ZKA-së për MKRS-së.

ZKA thotë se MKRS duhet të sigurojë vendosjen e një sistemi efektiv në të cilin të gjitha faturat protokollohen, evidentohen si dhe procedohen me kohë për pagesë në mënyrë që maksimalisht të zvogëlohet vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit. Njëkohësisht edhe raportimi i tyre në Thesar të bëhet i plotë dhe në baza periodike të parapara me rregulla financiare.