Zjarr në një shtëpi në Vërban të Vitisë, lëndohen katër persona
Një shtëpi është kapluar nga flakët pak pas mesnatë së mërkurës në fshatin Vërban të Vitisë.
Rasti ka ndodh rreth orës 00:02 sipas Policisë Rajonale të Gjilanit.
Valon Osmani, zëdhënës i Policisë Rajonale thotë se njësitet e Policisë dhe zjarrëfikësve dolën së bashku në vendin e ngjarjes ku edhe u lokalizua zjarri.
“Nga ky rast lëndime të lehta trupore kanë pësuar katër persona të cilët pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi. Në vendin e ngjarjes po ashtu ka dalë edhe inspektori i zjarreve. Rrethanat e rastit po hetohen nga hetues policor në koordinim me prokurorin e shtetit”, deklaroi Osmani për Kallxo.com.
Zjarri ka kapluar një dhomë në katin mbi përdhesë të shtëpisë teksa i gjithë kati është mbushur me tym. Si pasojë një 19-vjeçar ka pësuar lëndime pak më të rënda.
Hetem Jakupi, shef i zjarrëfikësve të Vitisë thotë se dyshimet fillestare janë se zjarri erdhi nga pajisjet elektrike.
“Zjarri ka ndodh diku në orën 00:04. Ekipet e zjarrëfikësve shkuan në vend të ngjarjes dhe u lokalizua zjarri. Të lënduar në atë objekt kanë qenë një 19 vjeçar i cili ka pas lëndime mjaft të theksuara, dhe prindi i tij. Ka qenë një tmerr aty por për fat të mirë kanë shpëtu. Tash hetuesit e Policisë dhe inspektori i parandalimit të zjarrit që po mundohen të gjejnë pikënisjen dhe shkaktarin e zjarrit. Po dyshohet se zjarri ka ardh prej një pajisje elektrike”, deklaroi Hetem Jakupi për KALLXO.com.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli tregon se 19-vjeçari i lënduar nga ky zjarr u dërgua në Spitalin e Gjilanit për trajtim tutje dhe se u lirua nga ai spital pas trajtimit.
“Doktori kujdestar më ka tregu që ka qenë një shtëpi që është djeg dhe një djalë 19 vjeçar ka pas disa lëndime të lehta dhe është dyshu për helmim me tym dhe është dërgu për në Spitalin e Gjilanit për trajtim tutje atje. Dy të tjerë kanë marrë vetëm ndihmën e parë këtu tek ne, nuk kanë pas lëndime serioze, më shumë prej tymit”, deklaroi Kadolli për KALLXO.com.
Për 19-vjeçarin e lënduar, KALLXO.com ka kërkuar informata edhe nga Spitali i Gjilanit.
“Kanë ardhë kah mëngjesi, një grua e vitit të lindjes 1973 dhe një djalë i ri i vitit të lindjes 2004. Pas ndihmës së dhënë, të dy janë lëshuar në shtëpi. Në këto raste trajtohen me oksigjen” – ka thënë Arsim Emini, drejtor i Spitalit të Gjilanit.