Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë 

Rusia dhe Ukraina kanë lëshuar drone në territorin e njëra-tjetrës për të dytën ditë radhazi. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se 35 dronë të Ukrainës u rrëzuan gjatë natës në tri rajone në Rusinë jugperëndimore.  

Trupat ruse kanë lëshuar 20 drone Shahed në Ukrainën jugore dhe perëndimore, si dhe një raketë navigimi X-59 nga jugu i okupuar i vendit. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar dronët e prodhuar nga Irani.  

Presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua ta bëjë Rusinë një fuqi “sovrane, të vetë-mjaftueshme”. Në një fjalim të fushatës elektorale, ai e akuzoi Perëndimin për përpjekje të pasuksesshme për të “sjellë telashe të brendshme” në Rusi.

Putin paralajmëroi gjithashtu për “probleme” me Finlandën fqinje pasi u bashkua me NATO-n në fillim të këtij viti. Rusia planifikon t’i riorganizojë divizionet ushtarake për të vendosur më shumë trupa në rajonin e saj veriperëndimor, pranë kufirit të BE-së dhe NATO-s.

Por Putin i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Joe Biden, se Rusia mund ta sulmojë një vend të NATO-s duke i konsideruar këto deklarime të Biden si “të pakuptimta”. Ky reagim nga Putin erdhi pasi Biden ditë më parë deklaroi se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë nëse ajo siguron fitoren, pasi ai iu lut ligjvënësve republikanë që të autorizojnë ndihmë të mëtejshme për Kievin.

Legjioni i Lirisë së Rusisë, një grup paraushtarak rus me bazë në Ukrainë, që kundërshtojnë Putinin, mori përgjegjësinë të dielën për një sulm ndërkufitar disa kilometra në rajonin Belgorod të Rusisë. Grupi në fjalë tha se kishte shkatërruar një bastion të trupave ruse pranë fshatit Terebreno.  

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Ukraina do të “lansojë zyrtarisht” një vlerësim me Komisionin Evropian. Ukraina do të fillojë vlerësimin e legjislacionit ukrainas për pajtueshmërinë me legjislacionin e BE-së, ka thënë Zelenskiy në fjalimin e tij të natës të dielën. Bisedimet e anëtarësimit të Ukrainës në BE priten të fillojnë në pranverë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala