Zgjedhjet në Turqi: si mund të ndikojë rezultati i këtyre zgjedhjeve në raport me BE-në, Rusinë dhe Mesdheun Lindor

Turqia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, mirëpo bisedimet e saj të pranimit kanë ngecur që nga viti 2018 për shkak të (mos)sundimit të ligjit dhe shqetësimeve demokratike.

Votuesit turq do t’i drejtohen kutive të votimit sot (e diel) për të votuar për presidentin e tyre të ardhshëm në atë që shumica e shohin si sfidën më serioze për udhëheqjen e Recep Tayyip Erdoğan qyshkur erdhi në pushtet 20 vjet më parë.

Kemal Kılıçdaroğlu, kandidati i zgjedhur nga opozita e bashkuar, aktualisht kryeson në sondazhe dhe thotë se do të përpiqet ta rivendosë besimin me BE-në dhe Perëndimin, besim ky që aktulisht është në një nivel më të ulët historik.

BE i pati ngrirë negociatat e pranimit të Turqisë në vitin 2018 si përgjigje ndaj përkeqësimit të demokracisë turke.

Udhëheqësit e BE-së patën deklaruar në konkluzionet e tyre të samitit të qershorit 2018 se Turqia “është duke u larguar më tej nga Bashkimi Evropian” dhe patën shprehur shqetësime për “kthimin e saj në shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore”.

Ata patën deklaruar gjithashtu se negociatat e pranimit të Turqisë “kanë rënë në mënyrë efektive” dhe se “asnjë kapitull tjetër nuk mund të konsiderohet për hapje apo mbyllje”.

Operacionet detare të Ankarasë pranë ishujve grekë dhe Qipros i kanë intensifikuar më tej tensionet dhe përfshirja e Turqisë në konfliktet libiane dhe siriane ka bërë që shumë evropianë t’i shohin politikat e saj në Lindjen e Mesme si destabilizuese.

Çfarë ndodh nëse opozita fiton…

… me bisedimet me BE

Mirëpo rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të çojë në një rifillim të bisedimeve me BE, sipas analistëve. Megjithatë, mund të arrihet progres në disa fusha nëse një qeveri e re në Turqi ndryshon kursin.

“Tani jemi në një moment shumë të rëndësishëm, moment historik, ku do të vendoset nëse zhvillimi do të jetë ende problematik për demokracinë, për shtetin e së drejtës, por edhe nëse agresiviteti ndaj fqinjëve të BE-së, të tillë si Greqia dhe Qiproja do të vazhdojë”, ka deklaruar për Euroneës, Sergey Lagodinsky, kryetar i delegacionit BE-Turqi të Parlamentit Evropian.

“Ne do të vijmë në një fazë ku ndarja midis Turqisë dhe BE-së do të jetë e pakthyeshme. Çfarëdo vendimi politik do të jetë pas zgjedhjeve, nëse vendimet do të shkojnë drejt hapjes së Turqisë ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës, nëse do t’i shohim reformat në sistemin e drejtësisë, diçka për të cilën ne kemi bërë thirrje për një kohë të gjatë, atëherë duhet të fillojmë të flasim, për shembull, për një përditësim të unionit doganor”.

“Ne mund të fillojmë të flasim në rast të reformave të tilla. Mund të fillojmë të flasim për një liberalizim të regjimit të vizave,” shtoi Lagodinsky.

Një fitore e opozitës do të nënkuptonte një mundësi për t’i rinovuar marrëdhëniet midis BE-së dhe Turqisë për shkak të premtimeve të fushatës mbi sundimin e ligjit dhe liritë individuale, thotë për Euroneës Ilke Toygür, profesoreshë e Gjeopolitikës Evropiane në Universitetin Carlos III të Madridit.

“Së dyti, ata (opozita) po pretendojnë se do ta rikthejnë pozitën perëndimore të Turqisë. Dhe së treti, dhe mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme për marrëdhëniet me Turqinë, ata do të fillojnë ta luajnë një rol konstruktiv në çështjet rajonale, në Evropën më të gjerë dhe në një kuptim shumëpalësh”, shtoi ajo.

… më Rusinë

Mund të ketë gjithashtu pasoja në pozicionin e Turqisë ndaj Rusisë.

Marrëdhëniet e Ankarasë me aleatët e NATO-s janë përkeqësuar gjatë viteve të fundit pjesërisht për shkak të tensioneve mbi lidhjet në rritje të Turqisë me Rusinë.

Erdogan ka kryer një “akt balancues” diplomatik që kur Rusia e pushtoi ushatrakisht Ukrainën, duke i kundërshtuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe duke mbajtur lidhje të ngushta me Moskën, ndërkohë që në të njëjtën kohë dërgonte drone në Kiev.

“Politika e Rusisë do të jetë një çështje afatgjatë ose afatmesme dhe afatgjatë për Turqinë, sepse ka një trashëgimi që marrëdhëniet midis Turqisë dhe Rusisë janë relativisht të mira. Dhe ka gjithashtu varësi energjetike, bërthamore dhe ekonomike midis Turqisë dhe Rusisë në këtë moment”, thotë Toygur.

“Ndryshimi i këtyre dinamikave brenda natës nuk do të jetë i lehtë për asnjë qeveri, edhe nëse kjo do të jetë qeveria opozitare”, shtoi ajo, duke vënë në dukje, megjithatë, se nëse është në pushtet, opozita “do të jetë më e ndjeshme ndaj shqetësimeve perëndimore për Rusinë, për shembull, kur bëhet fjalë për ndihmën e Turqisë për Rusinë për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore”.

Marc Pierini, ish-ambasador i BE-së në Turqi gjithashtu pajtohet se disa gjëra nuk do të jenë të lehta për t’u ndryshuar, pavarësisht nga fituesi i zgjedhjeve.

“Disa nga karakteristikat e Turqisë së sotme, në veçanti, fakti që e ka rritur fuqinë e saj ushtarake, nuk do të reduktohen. Ajo ka më shumë ndikim politik që mund të mbetet. Gjithashtu ka karakteristika tjera si termocentrali bërthamor, energjia elektrike, e cila është ndërtuar, është në pronësi dhe operohetnga Rusia. Nuk është ende online, por do të jetë. Këto fakte nuk do të zhduken. Pra, kushdo që të vijë në pushtet, do t’i duhet ka ketë në konsideratë këtë fakt”, thotë ai për Euroneës.

… me tensionet e Mesdheut Lindor

Marrëdhëniet me Greqinë dhe Qipron kanë arritur gjithashtu në nivelin më të keq në dekada pasi Erdogan, gjatë dy viteve të fundit, ka dhënë sinjale kërcënuese të fshehura për ta pushtuar fqinjin e tij dhe anatëarrin e saj të NATO-s, ndërkohë që dialogu midis Qipros dhe Turqisë dhe turqve qipriotë është ngrirë pëgjatë  gjashtë vitet e fundit.

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Qipros Nikos Christodulides ka thënë në një intervistë me Euroneës në muajin mars se zgjedhjet turke do të ishin një shans për të ringjallur dialogun.

“Çështjet do të mbeten të vështira. Kështu që pritshmëria atje nuk është një mrekulli brenda natës,” komenton Pierini.

“Mirëpo,  unë do të prisja që ata të kthehen në një lloj dialogu profesional për këtë gjë në vend që të shkëmbejnë kërcënime dhe, e dini, t’i ridizajnojnë të gjithë kufijtë e tyre detarë e kështu me radhë. Dhe e njëjta gjë me Greqinë”, shtoi ai.

Megjithatë, kushdo që i fiton zgjedhjet nuk do të jetë në gjendje t’i zgjidhë këto çështje lehtësisht, thotë Toygur.

“Marrëdhëniet e Turqisë {me BE} nuk mund të diskutohen veçmas nga marrëdhëniet e Turqisë me Qipron dhe Greqinë, sepse ato janë anëtarë të BE-së dhe jashtëzakonisht të rëndësishme kur bëhet fjalë për vendimmarrje.”

“Andaj, personalisht mendoj se do të ketë një kundërshtim edhe në këto fusha. Është e qartë se interesat kombëtare do të mbeten të njëjta nga të dyja palët, jo vetëm nga pala turke por edhe në të mirën e palës qipriote dhe asaj greke. Mirëpo, nëse do të ketë një marrëdhënie dhe mendim më të frytshëm për pozicionin e Turqisë në rajon dhe më gjerë në Evropë, mendoj se mund të ketë përmirësime edhe në këto histori shumë të komplikuara”, tha ajo.

Çfarë ndodh nëse fiton Erdogan në këto zgjedhje

Si Toygur ashtu edhe Pierini jane dakord se udhëheqësi turk nuk ka gjasa ta ndryshojë politikën e tij të brendshme dhe ndërkombëtare nëse mbetet ende në pushtet.

Në fakt, argumenton Toygur, fitorja e tij mund ta bëjë atë t’i përveshë mëngët edhe më shumë “sepse koalicioni me të cilin ai po rreshtohet në këto zgjedhje është edhe më i krahut të djathtë. Kështu që unë, madje, do të prisja qëndrime më të frikshme kur bëhet fjalë për demokracinë dhe kur bëhet fjalë ndaj politikës së jashtme”.

Pierini shton se “nuk ka asnjë shembull në historinë bashkëkohore të një autokracie të institucionalizuar që befas transformohet nga një mrekulli në një demokraci dinamike. Një gjë e tillë thjesht nuk ekziston.”/Euronews