Erdogan viziton Hungarinë, Orban i dhuroi një kalë

Gjatë vizitës së tij të dytë në katër muajt e fundit në Hungari, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar sot se dëshiron të thellojë marrëdhëniet me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Hungaria dhe Turqia janë të vetmet anëtare të NATO-s që nuk e kanë ratifikuar pranimin e Suedisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Parlamenti i Hungarisë nuk ka votuar ende për kërkesën e Suedisë, duke iu bashkuar Turqisë, e cila e ka bllokuar prej kohësh anëtarësimin e Suedisë dhe po e shtyn procesin edhe pse Erdogan e ka hequr veton e tij në qershor.

Në konferencën për shtyp pas takimit, të dy liderët nuk u komentuan për këtë çështje, por presidenti hungarez Katalin Novak, i cili u takua edhe me Erdoganin, konfirmoi se është diskutuar për zgjerimin e NATO-s.

“Duam marrëdhënie më të forta në mbrojtje dhe energji”

Arsyeja e vizitës së Erdoganit ishte njëqindvjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Ne duam marrëdhënie edhe më të forta në mbrojtje dhe energji, fusha në të cilat tashmë bashkëpunojmë me fryt”- ka thënë Erdogan, duke shtuar se qëllimi i vizitës së tij është rritja e tregtisë së mallrave nga katër në gjashtë miliardë dollarë.

Erdogan u prit me nderime ushtarake në Sheshin e Heronjve në Budapest, nga ku u drejtua në një takim me Novak dhe Orban.

Orban i dhuroi Erdoganit një nonius, një kalë i racës hungareze, edhe pse lideri turk ishte rrëzuar nga kali në vitin 2003. “Një dhuratë nga një komb kalorës për një tjetër”- ka shkruar Orban në Facebook.

Orban e ka marrë një veturë elektrike të prodhuar në Turqi si dhuratë nga Erdogan dhe foton e ka postuar në rrjetin social X. “Marrëveshja më e mirë që kam bërë ndonjëherë. Mora 435 për një kuaj fuqi. Mirë se vini president Erdogan”- ka shkruar Orban.

Gjatë konferencës për shtyp, Orban ka thënë se është “në kërkim të aleatëve me të cilët mund të fitojë”. “Kemi një plan të madh që turqit dhe hungarezët të jenë fitues së bashku në shekullin 21”- tha ai.

Nënshkruhet deklarata për partneritetin strategjik

Të dy krerët e kanë nënshkruar një deklaratë për ngritjen e marrëdhënieve në nivelin e “partneritetit strategjik”, të cilin Orban e përshkroi si “një shprehje e bashkëpunimit më të ngushtë, miqësor, vëllazëror dhe politik”.

Vitet e fundit, Hungaria e ka udhëhequr një politikë hapjeje drejt Lindjes, jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore.

Hungaria është i vetmi shtet anëtar i BE-së që ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala